Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erli Murati, hodhi poshtë akuzat e mazhorancës ndaj Presidentit Ilir Meta se po bën gjithçka për të bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, Murati tha se as Meta dhe asnjë politikan tjetër apo forcë politike në vend nuk mund ta pengojë procesin e integrimit, në këtë pikë ku ka ardhur.

“Kemi një krizë të re ose të rindezur. Unë nuk besoj që është krizë e re politike, por është vazhdimësi, pasi tërmeti pasoi një qetësi politike. Besoj se Presidenti është i pafuqishëm për ta ndaluar hapjen e negociatave me Shqipërinë. Nuk besoj se ka në Shqipëri një forcë politike që mund të pengojnë këtë proces, në këtë pikë ku ka ardhur. Jo vetëm se e tha Macorn, por se SHBA e ka thënë që integrimi i Shqipërisë është në interes të Amerikës. Presidenti ka shprehur pakënaqësi për dy gjëra, së pari akuzon KED si antikushtetues, duke bërë dhe një kallëzim penal për kryetarin.

Pra, Presidenti i beson institucionet e reja të drejtësisë, teksa i drejtohet SPAK. Ka dhe një aspekt politik. Janë bashkëfajtor të dyja palët, nëse flasim për krizë politike. Nuk më rezulton që mazhoranca i ka shtrirë dorën e pajtimit Presidentit, ai është institucion kushtetues dhe duhet të respektohet. Nuk mund të bëhet, që nëse nuk më pëlqen një vendim i Presidentit, unë bëj një akt që ja heq atij të drejtën. Presidenti ka qenë në një pozicion atakues. Këtu kanë bërë tubime edhe ambasadorët, kështu që nuk ka pse të mos e bëjë Presidenti. Nuk është fundi i botës. Doli Donald Lu poshtë Kuvendit për Reformën në Drejtësi dhe mirë bëri që doli”, tha Murati.

Më tej, ai deklaroi se mungesa e Gjykatës Kushtetuese në vend i ka hedhur benzinë zjarrit të krizës politike.

“Tani në vend mungon Gjykata Kushtetuese, një problem që e ka ngritur opozita dhe Presidenti. Nëse do funksiononte kjo gjykatë, nuk do ta kishim fare këtë polemikë, apo nëse 30 qershori do ishte ose jo anti-kushtetues. Unë besoj se Presidenti duhet ta kishte dekretuar Gent Cakajn ministër, por nuk është vetëm ky, janë shumë probleme që lindin pikërisht nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e kësaj gjykate ka sjellë probleme. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese i ka hedhur benzinë zjarrit të krizës politike”, shtoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb