Sokol Cikalleshi në merkaton e janarit të këtij sezoni u largua nga skuadra e Bashakshehir, pasi aty formacioni prej kohësh ishte kthyer ne utopi. Sulmuesi kavajas ndërroi ekip, por jo kampionat, pasi kaloi te skuadra e Akhisar po ne Turqi, vetëm e vetëm për të qenë më aktiv në fushën e lojës. Por duket se shqiptari nuk i ka bërë mirë llogaritë me formën që po kalojnë rivalët e tij në repartin e avancuar, më saktësisht portugezi Vaz Te.

Ky i fundit, me eksperiencë të gjerë në kampionatin anglez, është titullar i paprekshëm te Akhisar dhe këtë e ka mësuar më së miri Cikalleshi, i cili e ka parë veten të përfundojë rezervë e 30-vjeçarit. Në takimin e sotëm që Akhisar e fitoi me rezultatin 1-0 ndaj Rizespor duke u larguar nga zona e ftohtë e klasifikimit, Cikalleshi ndoqi nga pankina 60 minutat e para të takimit, para se të zinte vendin e sulmuesit portugez.

Ai kishte më pas disa raste shënimi, por nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë në këtë ndeshje, duke treguar se koha e gjatë jashtë fushave të lojës te Bashakshehir i ka krijuar probleme me shënjestrën para portës kundërshtare. Sulmuesi duhet të mundohet të rregullojë sa më parë këtë aspekt të lojës së tij, përndryshe rrezikon që të kalojë si zëvendësues edhe pjesën e dytë të sezonit në kampionatin turk.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb