Shoqata e Transportit Ndërqytetas ka dalë në një konferencë për media këtë të enjte, duke i kërkuar Bashkisë së Tiranës të heqë taksën për këtë sektor.

Kreu i kësaj shoqate, Kujtim Mema, tha se sektori i transportit ndërqytetas është më i godituri nga pandemia e koronavirusit, ndaj dhe shteti duhet të ngrihet në këmbë që nesër për të ofruar ndihmën e premtuar.

Teksa deklaroi se nuk do të ketë rritje të biletës, Mema theksoi se Bashkia e Tiranës iu premtoi se do iu falte taksën, por dy ditë më parë iu ka dërguar zarfet, duke iu kërkuar lekët.

“Shteti na premtoi se sektorin tonë do ta ndihmojë, sepse eështë sektori më i goditur nga pandemia, por nuk po shohim të na ndihmojnë. Kjo që po bën shteti është një punë e pakët dhe nuk vlen të na ngrejë situatën tonë ekonomike. Në situatën e tanishme, kemi 5 muaj gati të mbyllur, dhe tani shteti të mos marrë një iniciativë për të na ndihmuar, këtë nuk e presim. Ne kërkojmë me ngulm që shteti të cohet në këmbë dhe të ndihmojë sektorin tonë, që ka një vështirësi të madhe ekonomike. Na duhet se s’bën të na dëgjojnë.

Së dyti është taksa e bashkisë, që na është premtuar se do na falet. Para dy ditësh na erdhën zarfet nga Bashkia e Tiranës për të paguar këtë taksë. Nuk e mendojnë se ne nuk kemi më para për të mbajtur familjet tona dhe jo më të paguajmë këtë taksë. Dua t’i them kryetarit të bashkisë ‘si mundet të mos falen për ne këto taksa’? Ose të paktën të përgjysmohen. I kërkoj kryebashkiakut të ulet e ta disktojmë këtë, të kthejë sytë e të ndihmojë sektorin tonë. Të lërë mangut një gjë në qytet këtë vit dhe të na ndihmojë. Këtë problem po e ngre me të madhe, të rishikohet taksa. Ju lutem, kontrolloni dhe transportin e paligjshëm, që edhe ne të marrim frymë. Kërkoj me forcë dhe duhet të na i rishikojnë këto probleme se s’bën dhe të ngrihen në këmbë që nesër.

Tjetër është edhe terminali i jugut, po e ndjejmë shumë shpenzimin për atë xhiron që bëjmë deri te 3-shi. I kërkojmë bashkisë të na hapë rrugën për shkurtër. Këto janë shqetësimet tona, presim zgjidhje. Në krye të 10 ditëve do ndërmarrim edhe ne masat tona. Nuk mundet dot një shtet, që po trumbeton për në Evropë, të vazhdojë me këtë situatë, është katastrofë. Shteti duhet të ngrihet në këmbë se s’bën. Po na mbyt edhe transporti informal. Ne nuk do të rrisim biletën, kemi transportin më të sigurt, edhe pse njerëzit nuk po e përdorin shumë nga frika e pandemisë”, tha kreu i Shoqatësë së Transportit Ndërqytetas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb