Analisti, Shpëtim Nazarko në emisionin ‘RealStory’ në ‘News24’,  u shpreh se nga klasa politike në Shqipëri nuk ka asnjë shpresë.

Sipas tij sa më parë të kuptohet se në vend nuk ka strategji kombëtare, elitë kombëtare si edhe strategji shoqërore aq më shpejt situata në vend mund të marrë kthesë.

“Po shikoja tre udhëheqësit në këtë ‘Open Balkan’ dhe u tmerrova. Tani duhet parë nëse ky vend ka strategji kombëtare apo jo?  Jo vetëm për PD, por për të gjithë klasën politike nuk ka shpresë. Për fatkeqësinë tonë, ne nuk kemi pronën apo elitë, po plakemi duke treguar përralla. Mendoj që nëse nuk do të kuptojmë që s’ka elita kombëtare , strategji kombëtare apo strategji shoqërore, prapë do vijojmë më këtë situatë”, tha

Nga ana tjetër, analisti Skënder Minxhozi u shpreh se nga pikëpamja procedurale partitë kanë mbyllur ciklin e kundërvënies, pra tashmë tha ai të dyja palët kanë bërë një kongres.

Tanimë sipas analistit ndoshta duhet një rikonceptim i të gjithë partisë për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi në PD.

“Mënyra se si është hapur debati, del që jo vetëm Bardhi është vonë, por edhe Malko është vonë…Sot PD mendoj vuan keq, saqë kemi njërën palën që shqyen derën dhe pala tjetër vijon mbledhjen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Partia përballë e kapi më herët si cikël dhe nuk shkoi tek shqyerja e dyerve. Por kjo shqyerja me Gjykata është me e keqja. PD jo vetëm është vonë, por edhe pa zgjidhje. Unë e kuptoj Kadillin që përpiqet të marrë 24 % , por fakti është që dy shefat e grupimit kanë vazhduar pa u shqetësuar. Megjithëse këta dy lider janë tani me shumë pak ndjekës vazhdojnë të qëndrojnë. Ndoshta këtu zgjidhja është një rikonceptim i të gjithë partisë.  Ose këta dy bejlerët e vegjël do të luftojnë me njëri-tjetrit ose në fund fare do të fitojë ai që lundron në ujërat e veta sepse tani është i qetë”, tha Minxhozi.

Gjatë bisedës në studio, Fatbardh Kadilli u shpreh se pavarësisht situatës në të cilën ndodhet sot PD, misioni opozitar është aty, por duhet që dikush ta marrë përsipër.

Po ashtu ai theksoi se Kuvendi është kupola e partisë dhe se sipas tij kupola e ka tradhtuar partinë, ndërsa shtoi se tradhtarët e parë janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PD-së Lulzim Basha.

“Pavarësisht se është ndarë në dy parti, misioni i  një partie të vetme për të bërë opozitë mbetet aty. Mund të ndahet grupet apo lidershipe, misioni mbetet dhe dikush duhet ta marrë përsipër. Unë kam thënë se pavarësisht se duam apo nuk duam, Kuvendi është kupola e partisë dhe kupola  ka tradhtuar partinë. Tradhtarët e parë janë Berisha dhe Basha. Berisha thotë e mora vesh që është peng por kisha perde para syve. Atij i ka leverdisur ta mbajë atje për interes të tij. Sot ai shpallet si agjent i ndryshimit, por jo. Në asnjë sekondë për mua nuk ka qenë kupola, por ne sot duhet të vendosim lidhjen me qytetarin sepse e kemi humbur”, ka thënë Kadilli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb