TIRANE

Pothuajse çdo ditë nga kufiri jugor, hyjnë refugjatë sidomos nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët pasi ndalohen nga policia akomodohen në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, e ngritur në Babrru.

Rreth 100 persona, mes tyre gra dhe fëmijë nga Pakistani, Siria, Maroku dhe vendet e tjera arabe strehohen momentalisht në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit. Shumica prej tyre, nuk e kanë destinacion Shqipërinë pasi synojnë Europën.

Pranë qendrës së azilkërkuesve mësojmë se numri i personave të strehuar aty ndryshon nga dita në ditë. Çdo mëngjes në qendër shkojnë azilkërkues të rinj, ndërsa në orët e vona të natës dhe pa lejen e autoriteteve, shumë të tjerë largohen me qëllimin e vetëm për të kaluar kufirin, drejt vendeve të tjera të Europës.

Disa të tjerë kapen në kufi dhe kthehen sërish në qendër, disa të tjerë kalojnë në Malin e Zi. Qendra në Babrru ka kapacitet për 400 persona. Megjithatë, nuk është mbushur plotësisht në qendër ka mjaft probleme. Refugjatët flenë në krevate pa dyshekë, madje as ushqimi nuk u mjafton.

Azilkërkuesit tregojnë se kushtet në kamp janë të tmerrshme dhe sipas tyre rrinë më shumë se 9 persona në dhomë dhe ushqimi i servirur nga kampi, nuk është i mjaftueshëm.

Malik, është një i ri nga Pakistani. Ai ka mbërritur në Shqipëri para 4 ditësh. Ka qëndruar në kampet e Greqisë për 4 vite dhe më pas erdhi ilegalisht në Shqipëri. Ëndrra e tij është të ketë leje qëndrimi në një vend europian si Italia, Gjermania, apo Spanja. Ajo që gjeti në Shqipëri për të nuk ishte aspak e mirë.

“Erdha para katër ditësh dhe dua të iki sa më shpejt. Kështu bëjnë shumica këtu. Vijnë në mëngjes dhe ikin në mbrëmje. Nuk e di nëse marrin leje për këtë, këtu kushtet janë shumë të këqija. Nuk ka jastëk, nuk ka çarçafë. Jetojmë 15 veta në një sallon të madh. Ushqimi nuk na mjafton. Higjiena është e keqe. Shpesh në kamp, ndodhin vjedhje dhe sherre”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb