Pas tërmetit, i cili shkaktoi një traumë të përgjithshme, nxitimin më të madh e ka qeveria. Gjuha e saj del mbi buzë si lavjerrës nga rendja e galopi. Kryetari i saj i kapur fort pas mjekrës së vet, ka dy javë qe vetëm flet, flet, flet çmos kurrkush. Paskësh pritur me maraz të madh këtë ngjarje për të dalë nga heshtja që e pat kapluar. Topitja e njerëzisë i duhej si qilim në rrugën e rigjetur.

Shkarramendet në qyfyre e batuta, në hukama e qurravitje me hallexhinjtë që nuk kërkojnë kloun, por Kryeministër për t’u zgjidhur ndonjë hall. Ndërsa ai tërmetin e ka kthyer në festë.

Qeveria di të befasojë në ditë të trishta e në ato më të trishta, si këto të fundit. Edi Rama, për të realizuar një objektiv, i cili vë në diskutim liritë tona, atë më themeloren, lirinë e fjalës, po shfrytëzon hutimin që fatkeqësia natyrore shkaktoi me të vdekurit, të plagosurit, plagët, dhimbjet e dëmet e mëdha. Kamerierët e tij, të cilët po t’i pyesësh të thonë jemi politikanë, vrapojnë kudo në çdo zyrë a skutë për ta transformuar zemërimin e tij ndaj kritikës, të cilën e thërret shpifje, shpifje, shpifje me bulçinjët e tendosur si balc poturesh në ligj.

Në njëfarë mënyre, gjithë sa ndodhi, sidomos në Durrës e Thumanë, e këshillon atë të vrapojë në këtë drejtim dhe zaret të vetëposhtërohen pa asnjë drejtim. Projektligji për shpifjen i duhet ligj sa më parë përtej shqetësimit, reagimit të grupeve të interesit, gazetarëve, publicistëve, opozitës, organizatave ndërkombëtare, mediave prestigjioze si “Raitre”, i cili e quajti “ligji i gojëve të mbyllura”, i “New York Times” e të tjera. I gjendur në një terren sureal pushteti absolut, pa opozitë në Parlament, pas votimesh moniste, pas dëbimit nga procesi i integrimit europian, me një shoqëri që ëndërr kryesore të veten ka ikjen nga ky vend, me një ekonomi që pasuron vetëm klientët e pushtetit e vetë pushtetin, mes krimesh e atentatesh, të cilat jetën e individit e relativizojnë më shumë se të një pule, pas një tërmeti që zbuloi horizontalisht e vertikalisht babëzinë dhe hipokrizinë e shtetit të propagandës duke hapur një gropë të frikshme ekonomike, ai tenton të penalizojë artikulimin e tyre. “Rindërtimi” nuk do kallaballëk përreth po kaq.

Me gjasë beson se duke e zhveshur informimin nga e vërteta, na imponon të vërtetën e tij dhe të mediave e zërave shërbëtorë. Ku i dihet, pas votimit të projektligjit mund të gëzojmë të gjithë disa liri të tjera, që s’i kemi pasur deri më tash. Të cilat deri tani afër ishin domen i Elisës a ndonjë tjetri, të tipit Rama është më i zoti se Skënderbeu dhe Napoleoni, Vangjush Dako më i bardhë se akullorja, Arben Ahmetaj më i cekët se kaushi, por më ekonomist se Adam Smithi, Mirela Kumbaro më e ditur se Mari Kyri dhe më besnike se kontesha Valeska, Tërmet Peçi shkrimtar më i rafinuar dhe fin se Milan Kundera ku e ku, Gent Caka më bilbilgjyzar se Tajerani. Erion Braçe më i hijshëm se Zhan Mareja.

Projektligji kinse kundër shpifjes, në thelb kundër lirisë së shprehjes, është një tjetër test ndaj gatishmërisë sonë për të lëshuar, për t’i negociuar apo dorëzuar liritë e fituara në 30 vite pluralizëm politik.

Ne shqiptarët e kemi paguar rënde indiferencën në dekadat e fundit. Në vitin 1944 i braktisem të gjithë ata që iu kundërvunë tiranisë, më pas u distancuam dhe i pështymë me fjalorin e një populli të mposhtur nga frika e të zhveshur nga dinjiteti që mungesa e lirisë ekspozon. Kësaj stine për çdo revansh të Kryeministrit, i cili dikur mbështillej me mantelin e oratorit liberal, sot me qyrkun e despotit ia lëmë fajin opozitës.

Rëndom dëgjon të thuhet se po të ishte e fortë opozita, Edi Rama nuk do të sillej kështu. Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, të tilla pohime gjithsesi janë imorale dhe spostim përgjegjësie te tjetri dhe përjashtim të vetes nga reagimi. Shoqëria e përjashton veten nga të qenit faktor për liritë e veta që i cungohen, apo që duhet të ketë apo konservojë.

Sot, opozita thërret një tryezë për këtë çështje. Një të tillë e ka thirrur një vit më parë për këtë temë. Koha ka dëshmuar që Edi Rama nuk ndalet me tavolina, edhe pse pjesëtarëve në to nuk u mungon ndjeshmëria. Disa thonë që Edi Rama nuk është ndalur as me protesta. E vërtetë edhe kjo. Por detyra e opozitës është ta riprovojë përsëri e përsëri, ta ftojë shoqërinë në këtë betejë për lirinë e fjalës. Rama po na ndjell, po na vë në provë. Edhe pse këtu ka një truk. Ai do t’u thotë njerëzve, ja.. protestojnë se nuk duan rindërtimin. Nëse ia del me këtë, pak më vonë do na heqë diçka tjetër. Meqenëse na ka gënjyer për premtimet, meqenëse ka shtuar sundimin, po kaq impenjim do të investojë për të na mbyllur gojën. Kjo është një beteje e madhe. Për të ia vlen që qytetaret ta rrethojnë në shenjë mosaprovimi, Parlamentin e kompozuar nga “rilindja e vjetër” dhe “opozita e re” ditën që do ta aprovojnë projektin që sanksionon policinë e mendimit.

E nëse atë (betejën për lirinë e fjalës) e fiton Edi Rama, kjo nuk ndodh për paaftësinë e Lulzim Bashës apo të opozitës, ndodh sepse shoqëria e lejon. S’ka gjë më të lehtë që paaftësinë tënde, frikën tënde, mosangazhimin tënd apo padijen tënde për lirinë t’ia mveshësh dikujt tjetër. Opozita ka përgjegjësitë e veta, po s’ka pse ngarkohet me të gjitha, edhe me ato që nuk janë të sajat.

Për një lejim kësodore, shoqëria le të paguajë konsekuencat duke mbledhur në kopshtin e saj autocensurën, frikën dhe heshtjen, bima e të cilave do të harliset nën peshën dhe yndyrën e plehut të bollshëm, me të cilin do të ushqehet/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb