I deleguari politik i LSI në Berat Ardit Çela ka denoncuar se kryebashkiaku i Skraparit ka porositur nesër në 18:30 tek kinemaja në Çorovodë tubim elektoral me sa më shumë pjesëmarrje.

Sipas Çelës, porosia u ka shkuar drejtuesve të institucioneve në Skrapar në telefon dhe u kërkohet të jenë prezent në tubim bashkë me stafet.

Për Çelën, këto organizime që thyejnë ligjin duhet të parandalohen dhe të ndëshkohen përgjegjësit pasi situata me COVID-19 në Berat nuk është aspak e mirë.

STATUSI NGA ARDIT ÇELA

Drejtuesit e institucioneve në Skrapar janë zgjuar sot me një porosi të veçantë në telefonin e tyre.

Kryetari i Bashkisë i njofton, porosit dhe urdhëron për tubim elektoral, dhe për një pjesëmarrje sa më masive nesër në 18:30, tek kinemaja në Çorovodë. Me porosi të veçantë i urdhëron të vijnë së bashku me stafet.

Ky është skandal i përsëritur. Është papërgjegjshmëri njerëzore. Është shpërdorim i hapur i detyrës.

Akti normativ në fuqi ndalon qartazi tubimet elektorale, ndërkohë rilindja bën thirrje për tubim elektoral me pjesëmarrje sa me masive.

Ligji ndalon qartazi përdorimin dhe presionin ndaj administratës, ndërkohë rilindja u kërkon drejtorëve pjesëmarrjen sa më masive së bashku me stafet në takimet elektorale të rilindjes.

Situata shëndetësore në Skrapar, Berat dhe gjithë Shqipërinë është dramatike dhe njerëzit po humbasim jetën përditë. Drejtuesit e Rilindjes në Skrapar thërrasin tubim elektoral, në pikun e pandemisë, duke i dënuar njerëzit me vdekje.

Ç’janë këta? A janë njerëz apo çfarë janë? Mirë frikë nga ligji nuk kanë, po nuk paskan mëshirë as për jetën e njerëzve.

I bëj thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë të Qarkut Berat, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, të kryejnë detyrën, e jo vetëm të ndëshkojnë përgjegjësit , por duhet të parandalojnë të tilla organizime të cilat jo vetëm thyejnë ligjin por i çojnë njerëzit drejt ekspozimit ndaj virusit që ka marrë mijëra jetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb