TIRANË

PD ka denoncuar sot përmes ish deputetes Jorida Tabaku, një tjetër abuzim sipas saj me fondet e rindërtimit. Tabaku u shpreh se 5 nga 12 godina te zona “5 maji” po kthehen në zyra luksi për “Hajdutët e Fatkeqësisë” në qeveri dhe bashki, ndërsa akuzoi kreun e qeverisë, Edi Rama si edhe kryebashkiakun Veliaj.

“Ato duan që paratë që duhet të ndërtonin shtëpitë e shqiptarëve aty ku u shembën, të ndërtohen zyrat e luksit. Ky është një akt i paligjshëm, në kurriz të interesit publik. Pse duhet që qeveria dhe bashkia të uzurpojnë hapësirat që u takojnë qytetarëve, kur zyrat i kanë që tani shumë të rehatshme? A duan të lirojnë godinat në qendër të Tiranës për ta dhënë truallin për ndërtim kullash të tjera dhe pastrim parash?” u shpreh Tabaku.

Deklarata e plotë:

Të dashur qytetarë,
5 nga 12 godina te zona “5 maji” po kthehen në zyra luksi për “Hajdutët e Fatkeqësisë” në qeveri dhe bashki.
Tërmeti i 26 nëntorit na tregoi të gjithëve se kjo qeveri kishte vjedhur aq shumë, sa as ushqimet bazë nuk gjendeshin në depot e emergjencave civile.
Vesi i përvetësimit të të mirave publike për interesa personale është frymëzimi dhe moto e kësaj qeverie dhe ky ves vjen e përforcohet edhe në kohë fatkeqësie.
Fatkeqësisht edhe sot thuajse një vit pas tërmetit fatkeq që goditi vendin, të dhëna tronditëse dalin në pah.

Pangopësia e hajnave nuk kursen më askënd.
Fatkeqësia që goditi këtë zonë të Tiranës po përdoret nga qeveria qendrore dhe natyrisht ajo lokale për të gllabëruar pronën e qytetarëve në interesa personale dhe të jashtëligjshme të qeverisë. Më konkrektisht në zonën “5 Maji” do të ndërtohen 12 godina me vlerë 52 milion euro; godina të cilat duhet t’u përkisnin banorëve të dëmtuar nga tërmeti.
Por nuk do të ndodhë aspak kështu, sepse fondet e rindërtimit, paratë e taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë për një qëllim tinëzar, i cili ushqen me luks pushtetarë dhe qeveritarë të paskrupuj.
Ne kemi faktuar më herët se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që nuk ka pësuar asnjë dëmtim nga tërmeti, do të zërë një nga godinat e reja në zonën e rindërtimit.

Tatimet nuk janë institucioni i vetëm që do të uzurpojë hapësirën e re publike.
Në këtë zonë, që duhet t’u përkiste qytetarëve, qeveria po nxjerr jashtë banorët për t’i dhënë vetes luksin që me paratë që duhet të shkojnë në ndihmë të ndërtimit të banesave të qytetarëve të përfitojë ajo për luskin personal.
Siç shihet në dokumentin me firmë të kryebetonierit të Tiranës, Erion Veliajt, nga 12 godina që ndërtohen me fondet e rindërtimit (pra nga taksat tona të rritura) 5 prej tyre do të rrëmbehen nga qeveria.

Gjatë periudhës së tërmetit mijëra shqiptarë kanë kontribuar me ndihma në forma të ndryshme edhe monetare. Qeveria e drejtuar nga Rama dhe njëkohësisht qeveria lokale e drejtuar nga fotokopja pa ngjyra e Ramës po tentojnë të tjetërsojnë qëllimin e këtyre fondeve.
Ato duan që paratë që duhet të ndërtonin shtëpitë e shqiptarëve aty ku u shembën, të ndërtohen zyrat e luksit.
Ky është një akt i paligjshëm, në kurriz të interesit publik. Pse duhet që qeveria dhe bashkia të uzurpojnë hapësirat që u takojnë qytetarëve, kur zyrat i kanë që tani shumë të rehatshme? A duan të lirojnë godinat në qendër të Tiranës për ta dhënë truallin për ndërtim kullash të tjera dhe pastrim parash?
Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk ndryshojnë aspak nga personazhi famëkeq Tenardie i Viktor Hygoit. Ai plaçkiste të vdekurit, këta grabisin për luksin e tyre godinat që duhet të strehonin familjet e mbetura pa shtëpi nga tërmeti.

Por shumë shpejt, e vërteta do të dalë, për të dy këta që luajnë me fatkeqësinë e shqiptarëve për interesat e ngushta personale. Për ato që thyejnë besimin e shqiptarëve duke ua trejtësuar fondet për interesa personale. Shqiptarët do t’i ndëshkojnë me votën e tyre në 25 prill 2021.
Fajtorët do të përgjigjen për këto sjellje personalisht. Askush nuk mund t’i shpëtojë barazisë përpara ligjit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb