Pronarët e inceneratorëve nuk kanë përfituar vetëm para për djegien e përpunimin e plehrave, por duket se janë shtrirë në çdo sektor, madje, duke “vjelë” fondet që Bashkimi Evropian i ka dedikuar për bujqësinë.

Së fundmi, në disa dokumente të publikuara dëshmohet se si personi me iniciale E. B., që me prokurë të posaçme noteriale përfaqëson dhe vepron në emër të inceneratorit të Tiranës, ka përfituar 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD per “Investime në asete fizike të fermave bujqësore”, e thënë më konkretisht, duke investuar në sera në një tokë në Sharrë, që e ka blerë nga koncensionari.

Fondet janë grant i pakthyeshëm që Bashkimi Europian i jep qeverisë shqiptare si mbështetje për rritjen e kapaciteteve në bujqësi.
Nga dokumentet zbulohet se investitori E.B është përfituesi i 310 mijë eurove dhe njëkohësisht është punonjës i inceneratorit të Tiranës, me të drejtë firme me kompetenca të plota i kompanisë Integrated Energjy”. Në disa kontrata figuron dhe si punëtor, me pas i blen-shet toka me inceneratorin dhe në fund admnistrator i tij me të drejtë firme.

News24 ishte në serën pranë inceneratorit të Tiranës ku punonjësit nuk pranonin të flisnin. Si te ishin klandestinë, ata qëndronin fshehur duke thënë se nuk e dinin se prej sa kohësh ishte ndërtuar sera dhe kush ishte pronar i saj. Madje, edhe banorët e fshatit refuzonin të përgjigjeshin në lidhje me serat, për të cilat thane se dinin shumë pak.

Por si u ndërtua skema e përfitimit të fondeve nga IPARD? Me 16 gusht 2021 shoqëria “Integrates Energy” që ka marrë me koncesion ndërtimin e inceneratorit te Tiranës i ka shitur shtetasit E.B. një sipërfaqe 8500 metër katror toke are në zonë e Sharrës.

Më pas E.B. firmos një kontratë konsulence me kompaninë “Consulting SE Partners” në pronësi të Stelja Gugallës që të plotësojë të gjitha dokumentet e nevojshme tek Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për të përfituar fonde për ndërtimin e një fermë hidroponike në zonën e Sharrës. Me 22 shkurt 2022 E.B. bëhet administrator me të drejtë firmë dhe përfaqësimi i inceneratorit të Tiranës. Ndërsa AZHBR e ka shpallur fitues ate. E gjitha ka ndodhur kur drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ishte ministrja e tanishme e Bujqësisë, Frida Krifca.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb