Një skandal ka përfshirë Gjermaninë, pasi disa grave iu është hedhur në pije ajo që quhet “drogë përdhunimi”. Mediet raportojnë se ngjarja ka ndodhur gjatë festës tradicionale të Grupit Parlamentar të SPD-së, në Berlin, ku i pranishëm ka qenë dhe vetë Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Siç raportojnë mediet gjermane, grave të pranishme në festë iu është hedhur një lëng pa shije, që mpikset lehtësisht me pijen dhe jep një sërë efektesh, si humbje e përkohshme e memories, deri në gjendje të fikti.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën e kaluar në oborrin, ku morën pjesë deputetë, punonjës të Bundestagut gjerman dhe të zonave zgjedhore, ku sipas grupit parlamentar, në total ishin rreth 1000 pjesëmarrës.

Ngjarja u raportua për herë të parë nga “Tagesspiegel”, e cila ka gjithashtu një letër të kreut të grupit parlamentar të SPD-së, Mathias Martin, drejtuar anëtarëve të SPD-së të Bundestagut, ku thuhet: “Në festën tonë të verës padyshim pati sulme ndaj kolegëve me nokaut. Kjo është një ngjarje skandaloze, të cilën e raportuam menjëherë në policinë e Bundestagut”. Grupi parlamentar i SPD rekomandon që personat e tjerë të prekur “ta raportojnë menjëherë këtë në polici”.

Pesë “viktima” janë regjistruar
Policia kriminale e Berlinit ka nisur hetimet për lëndime të rrezikshme trupore ndaj personave të sulmuar. Autoritetet gjermane njoftojnë se deri të shtunën në mëngjes kanë rezultuar të prekura me këtë lëndë të rrezikshme pesë gra.

Mes tyre ishte një grua 21-vjeçare, e cila ankohej se nuk ndihej mirë, kishte marramendje dhe humbje të kujtesës pas festës. Sipas policisë, ajo ka ngrënë dhe ka pirë në festën me rreth 1000 të ftuar të mërkurën pasdite dhe në mbrëmje, por nuk ka konsumuar alkool. Rreth orës 21:30 ajo ka shfaqur shenja të marramendjes, ndërsa në mëngjes ajo ka thënë se nuk mbante mend asgjë nga darka.

Ajo është ekzaminuar në spital dhe ka lajmëruar policinë, ku kjo e fundit mëngjesin e së shtunës, kishte marrë dijeni për katër raste të tjera me simptoma të ngjashme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb