ITALI- Policia e Shtetit në Verona ka arrestuar një infermiere 43-vjeçare në shërbim në spitalin civil të qytetit pasi akuzohet se i ka dhënë morfinë një të porsalinduri, pa recetën e mjekut dhe pa nevojë terapeutike, duke i provokuar një krizë frymëmarrjeje. Gruaja e kishte quajtur të porsalindurin ‘të zgjebosur’, ndërsa e mbante në krahë para kolegeve.

Arrestimi i infermieres erdhi pas urdhrit të gjykatëses Livia Magri me kërkesë të prokurores Elvira Vitulli. I vogli ishte shtruar në repartin e terapisë intensive neonatale dhe analizat e bëra kanë konfirmuar prezencën e drogës në gjak.

Agjentët e skuadrës së lëvizshme të Veronas kishin verifikuar që i porsalinduri, pak para episodit ishte në gjendje të mirë, nuk merrte asnjë lloj ilaçi dhe priste të dilte nga spitali ditën tjetër. Por në mënyrë të pashpjegueshme, pas orës 24:00 të 9 marsit, i vogli kishte përsëritur kriza frymëmarrjeje që e kishin bërë të domosdoshme transferimin në terapi intensive për ta reanimuar.

Nga momenti kur kuadri klinik ishte përkeqësuar, infermierja kishte urdhëruar kolegen t’i jepte të voglit një ilaç antidot të opiateve, duke i treguar edhe dozimin. Menjëherë më pas, fëmija kishte filluar të merrte frymë në mënyrë normale.

Analizat e mëpasme mjekësore dhe raportet kishin zbuluar se krizat e frymëmarrjes kishin ardhur si pasojë e injektimit të morfinës, e ndodhur pak orë para ngjarjes.

Një dozim që përveç se nuk ishte kërkuar kurrë nga mjeku nuk mund të linte vend për të dyshuar edhe për një gabim njerëzor sepse morfina si normë u jepet të porsalindurve në rrugë venoze dhe jo nga goja apo nga hunda siç ka ndodhur në këtë rast.

Hetimet më pas zbuluan se ishte vetë infermierja që e zgjidhi problemin e krizës respiratorë tek foshnja, duke i dhënë antidotin.

Por nga dëshmitë e mbledhura nga policia për çështjen, infermierja e kishte mohuar duke deklaruar se nuk e mbante mend se ia kishte dhënë ajo ilaçin.

Më parë se t’i jepte morfinë, infermierja ndërsa mbante në krah të voglin e kishte quajtur ‘të zgjebosur’ para kolegeve të tjera, duke i thënë madje një infermiereje tjetër që të përdorte morfinë dhe benzodeazepina edhe pa recetë, që t’ua jepte të porsalindurve nga goja ose hunda për t’i qetësuar, e bindur se nuk kishte rrezik.

Policët kanë zbuluar se natën që kishte ndodhur episodi me të porsalindurin në Repartin e Terapisë Intensive Neonatale kishte në recetë morfinën, që me sa duket ishte vendosur nga vetë infermierja.
Asnjë prej mjekëve apo infermiereve të tjera nuk e kishte pranuar se kishte marrë morfinën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb