LEZHË

Një përplasje e pazakontë mes pushtetarëve ka ndodhur në Lezhë pasditen e sotme teksa kanë nisur verifikimet në terren për dëmet nga tërmeti.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë në Lezhë për të parë situatën dhe është ndalur tek një pallat 12 katësh në lagjen “Besëlidhja” por i ka qetësuar banorët duke iu thënë se është i sigurt.

Nga ana tjetër në vend ka mbërritur edhe Drejtori i urbanistikës së Bashkisë Lezhë Nik Leka, i cili i ka thënë ministrit në praninë e dhjetëra banorëve se pallati është konsideruar i rrezikshëm pasi ka çarje trarësh mbajtës. Megjithatë ai thotë se duhet një ekspertizë më e specializuar.

Por ministri Lleshaj nuk e ka lejuar të flasë duke ngritur madje dhe zërin e duke i thënë disa herë ‘stop’.

Banorja: Nuk banohet në këtë pallat pa u bë ekspertiza.
Inxhinieri, Drejtori i urbanistikës: Ministër a mund të sqaroj diçka të lutem. Jam drejtori i urbanistikës. Kemi verifikuar këtë pallat bashkë me kryetarin. Në katin e tretë të banimit, në të katër anët, trarët mbajtës janë të çarë. Kemi sjellë një grup tjetër për ta verifikuar. Na duhet ekspertizë më e specializuar..
Lleshaj: Ti shefi i urbanistikës. Ti duhet të kesh shumë kujdes kur përhap panik.
Shefi i urbanistikës: Nuk i kam thënë unë këto fjalë.
Lleshaj: Kush i ka thënë?
Shefi i urbanistikës: Kryetari vetë.
Lleshaj: Po kryetari çfarë është?
Shefi i urbanistikës: Në gjykimin tonë ishte shumë e rrezikshme.
Lleshaj: Çfarë është kryetari? Përhapni kot me njerëzit. Kjo është xham i gjithi, nuk është thyer një xham bëni budallallëqe kot.
Shefi i urbanistikës: Situata nuk është e mirë aspak sepse e kemi verifikuar…
Lleshaj: Stop, stop! Në qoftë se i thua vetes inxhinier mendohu mirë kur flet!
(vazhdojnë debatet, fjalët e paqarta)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb