POGRADEC- Skandal në Pogradec, një fëmijë vetëm 4-vjeç mbahet për 11 orë në komisariatin e policisë. Denoncimi vjen në News 24, nga nëna e djalit 4-vjeçar, e cila thotë se i biri ka qenduruar në komisariat pa gjumë e pa ushqim dhe se tani e ka shtruar në spital.

I mituri është shoqëruar bashkë me të atin, i ndaluar nga policia e Pogradecit për transportim lëndësh drusore.

Majlinda Leka shprehet se “Policia më la fëmijën 4 vjeç në komisariat nga ora 22:00 deri në 09:00 të mëngjesit. Fëmija ndenji në komisariat pa gjumë dhe pa ushqim, ishte trembur shumë, tani e ka shtruar në spital. Nga dita e djeshme djali ka qenë shumë i shqetësuar. Tani doktorët e mbajnë me serume”.

Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 11 gushtit në fshatin Zvirinë, ku i mituri u shoqërua bashkë me të atin. Në lidhje me këtë rast, policia shprehet se janë lajmëruar familjarët për ta marrë, por duke qënë se ishin larg komisariatit, i mituri është mbajtur aty.

“E kemi trajtuar normalisht, e kemi mbajtur me kujdes. Lajmëruam familjarët e tjerë, por ishin larg komisariat”,- shprehen policët.

POLICIA: FËMIJA ËSHTË PREKUR VETËM NGA NJË VIROZË E STINËS, QËNDROI MË TË ATIN NË MAKINË DERI KUR ERDHI E ËMA
pas denoncimit të Majlinda Lekës për fëmijën 4 vjeç, që ajo pretendon se iu mbajt në komisariat pa bukë e gjumë, ka reaguar Policia e Pogradecit. Në një deklaratë për mediat, policia sqaron se pas kontrollit mjekësore që iu nënshtrua fëmija, rezulton se është i prekur vetëm nga një virozë e stinës.

Sipas Policisë së Pogradecit “Fëmija nuk paraqet problem nga gjendja emocionale, pasi deri kur erdhi nëna qëndroi me babanë në makinë”.

PD: AKT I RENDE, PROKURORIA TE HETOJE RASTIN
Partia Demokratike dënon me forcë mbajtjen e fëmijës së mitur 4 vjeçar për rreth 11 orë në komisariatin e Pogradecit, ç’ka ka sjellë pasoja në shendetin e tij. Në një reagim për mediat, PD e cilëson ngjarjen “akt i rëndë që dëshmon se represioni i qeverisë nuk merr në konsideratë të drejtat e njeriut dhe është prekja e fundit, kur nuk tregohet ndjeshmëri ndaj një fëmije 4-vjeçar”.

“Mbahet në komisariat i mituri teksa kontrabanda dhe evazioni i miqve të Edi Ramës kanë kapur shifrat e frikshme të qindra milionë dollarëve.

Partia Demoktatike i kërkon prokurorisë të hetojë me shpejtësi e seriozitet rastin, e të vërë para ligjit autorët e këtij akti skandaloz”, thuhet në reagimin e PD-së.

(foto ilustruese)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb