POGRADEC

Skandal në prokurorinë e Pogradecit. Hetimet për një aksident, po zvarriten prej dy vitesh dhe prokurorët as e vënë ujin në zjarr që t’i japin zgjidhje rastit, duke dëmtuar interesat e qytetarëve, por edhe duke ngritur dyshime të forta për korrupsion.

Bëhet fjalë për një aksident të ndodhur në dhjetor të 2019, në aksin rrugor Pogradec Korcë, në vendin e quajtur “Çezma e Sanxhakut”, ku një kamion tip IVECO, është përplasur me një mercedez benz, që drejtohej nga një shtetas grek, i cili humbi jetën. Drejtuesi i kamionit u vu në pranga pas dyshimeve për shkelje të rregullave të qarkullimit, me pasojë vdekjen e shtetasit grek, ndërsa automjetet e dëmtuara u sekuestruan  deri në përfundim të hetimeve.

Por edhe pse kanë kaluar 2 vjet, hetimet po zvarriten duke tejkaluar cdo afat ligjor. Dosja fillimisht ishte në duart e prokurorit  Sotir Kllapi, i cili kishte urdhëruar kryerjen e një aktekspertimi autoteknik, për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Ndërsa pritej dalja e aktit, prokurori u emërua në SPAK dhe për muaj me radhë, asnjë prokuror tjetër nuk u caktua për të vijuar hetimin. Pas insistimit të vazhdueshëm nga njëra prej palëve te dëmtuara, në qershor 2020, Drejtuesi i Prokurorisë Pogradec, caktoi Shkëlqim Kokonën si prokuror për hetimin e çështjes. Palët janë informuar nga prokurori Kokona se do të vijohej me ri-ekspertimin, sipas vendimit të marrë nga paraardhësi i tij. Palët kanë konstatuar se ekspertët e caktuar, ishin në konflikt interesi, por prokurori ka vonuar ti japë zgjidhje edhe kësaj  cështjeje.

Pas shumë përplasjesh, ai ka vendosur kryerjen e një ekspertimi të ri, me 3 ekspertë të tjerë por megjithatë, nga dhjetori i 2020, kur prokurori ka marrë këtë vendim, cështja në fjalë vijon të mbahet në sirtarët e prokurorisë në kundërshtim me ligjin. Ndërkohë kërkesat e palëve për ta përfunduar hetimin brenda një afati të arsyeshëm, sic parashikohet nga ligji, kanë rënë në vesh të shurdhët. Në vijim është refuzuar kërkesa e njërës prej palëve për përjashtimin e prokurorit, i cili jo vetëm zvarrit pafundësisht hetimin, por edhe nuk liron  automjetet e përfshira në aksident, për sa kohë që nuk ka arsye të mbahen të bllokuara, pasi ekspertiza për të përcaktuar fajtorin e aksidentit ka përfunduar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb