Një ministre e sapoemëruar në qeverinë e re të Emmanuel Macron po hetohet pas akuzave për përdhunim që rëndojnë ndaj saj dhe që kanë lidhje me karrierën e saj të mëparshme si gjinekologe.

Chrysoula Zacharopoulou, ministrja 46-vjeçare e Shtetit për Zhvillimin, është subjekt i dy ankesave nga një grua që mediat ndërkombëtare nuk ia përmendin emrin për arsye ligjore. Një burim në zyrën e prokurorit publik të Parisit të mërkurën i tha gazetës Marianne se rasti i fundit lidhej me kohën e zonjës Zacharopoulou si gjinekologe.

“Është hapur një hetim për dy akte të dyshuara përdhunimi të cilat dyshohet se janë kryer në detyrat mjekësore të të dyshuarit. Ankesa e parë u bë më 25 maj dhe hetimi u hap dy ditë më vonë për të përcaktuar nëse faktet ka të ngjarë të hyjnë në sferën e kriminalitetit. Ankesa e dytë është bërë më 16 qershor. Magjistratët hetues po punojnë tani për hetimin me një brigadë të specializuar policie, që do të thotë se zonja Zacharopoulou tashmë është intervistuar gjatë, ka thënë burimi.

Zacharopoulou, një ish-deputete e lindur në Greqi, iu bashkua qeverisë franceze më 20 maj përpara rezultateve katastrofike të zgjedhjeve të së dielës së kaluar, të cilat panë që Macron humbi shumicën parlamentare.

Ashtu si kryeministrja e re, Elisabeth Borne, Zacharopoulou konsiderohet të jetë një nga politikanet femra më të fuqishme në qeverinë e Macron. Emri i saj u rrit në vitin 2015, teksa ajo bëri fushatë për ndërgjegjësimin më të madh të publikut për endometriozën së bashku me aktoren Julie Gayet, e cila këtë vit u martua me ish-presidentin francez Francois Hollande.

Pavarësisht akuzave, ajo ka ruajtur rolin e saj në qeveri, e cila përtej Zhvillimit mbulon edhe Frankofoninë (vendet frëngjishtfolëse) dhe Partneritetet Ndërkombëtare.

Ndonëse nuk kishte asnjë koment në lidhje me akuzat nga Zacharopoulou, apo ndonjë nga kolegët e saj të qeverisë, ky skandal pason një seri skandalesh seksuale në administratën e Macron, me këtë të fundit që akuzohet se është shumë i qetë në lidhje me akuzat e rënda kriminale dhe refuzon të shkarkojë anëtarët e kabinetit të tij.

Edhe Damien Abad, Ministri i Francës për Solidaritetin dhe Personat me Aftësi të Kufizuara, po përballet gjithashtu me një shqyrtim intensiv pas akuzave për përdhunim nga dy gra, të cilët pretendojnë se 42-vjeçari i detyroi ato të kryenin marrëdhënie seksuale pa dëshirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb