• * Pacienti: Jam operuar, ku të shkoj me kokë të hapur?
  • * MSH: QSUT u furnizua 21 herë me ujë sot

TIRANË- Qendra Spitalore Universitare në Tiranë është pa ujë të pijshëm që prej ditës së djeshme si pasojë e defekteve në Bovillë. Mungesa e ujit të pijshëm ka paralizuar kirurgjinë dhe stafi mjekësor ka ndaluar operacionet. Ndërkohë në shërbimin ORL pacientët këshillohen të dalin nga spitali. Vetëm disa reparte në QSUT furnizohen me ujë nga botet.

Në një prononcim për News24, shefi i ORL-së, Besim Boçi thotë se ka sqaruar të gjithë të sëmurët dhe iu ka kërkuar disave të largohen. Ndërkohë Boçi deklaron se kjo situatë përbën rrezik për pacientët e operuar.

“Në drekë pas një takimi që pata në Drejtori, këshillova që kush është e mundur të dali, sepse nuk mund të rrihet në spital pa ujë, qoftë edhe për ujërat e zeza. Shkova dhomë më dhomë dhe i sqarova të sëmurët. Pashë që asnjë nuk ishte rast urgjent për hospitalizim. U thashë që kush nuk ka ku të strehohet sonte mund të rri në spital deri nesër”, tha Boçi.

Ndërkohë sot, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se situata do të normalizohet dhe se pasdite Bovilla do të jetë në funksion të plotë.

PACIENTI: JAM OPERUAR, KU TË SHKOJ ME KOKË TË HAPUR?
Pacientët, që vijnë nga qytete të ndryshme, kërkojnë ndihmë, pasi janë në gjendje të rëndë dhe nuk mund të udhëtojnë për në shtëpi.

“Sot na erdhi shefi i pavionit dhe doktorët na thanë me dal se s’ka ujë. Jam operuar, ku të shkoj me kokë të hapur. Ku të shkoj në Dibër, kush me mjekon në Dibër mua, përjashta s’mund të dalim në rrugë të madhe”, tha një prej pacientëve.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË: QSUT U FURNIZUA SOT 21 HERË ME UJË NGA BOTET
Pas situatës së krijuar në QSUT nga mungesa e ujit të pijshëm, Ministria e Shëndetësisë deklaron se bashkë me Bashkinë e Tiranës kanë bërë të mundur furnizimin me ujë të institucioneve shëndetësore në kryeqytet. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, QSUT është furnizuar 21 herë me ujë gjatë ditës së sotme nga botet.

“Si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike në 24 orët e fundit, ku pas një periudhe të gjatë thatësire patëm shira të dendur e të rrëmbyeshëm, uji i Liqenit të Bovillës është turbulluar si asnjëherë tjetër në vitet e fundit. Kjo e ka vështirësuar kalimin e këtij uji në impiantin e Bovillës, për t’u trajtuar e shpërndarë më pas në rrjetin e shpërndarjes. Për këtë arsye, gjatë gjithë ditës së sotme, specialistët e UKT-së kanë kryer analizat e ujit çdo 30 minuta, për të garantuar cilësinë e tij. Ndërkaq, sot Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka vijuar furnizimin me ujë të spitaleve të kryeqytetit, për të mos pasur probleme me mungesën e ujit në këto institucione. Vetëm gjatë ditës së sotme, UKT-ja ka shpërndarë në terren 7 bote uji, të cilët kanë furnizuar 21 herë me ujë QSUT “Nënë Tereza”, 6 herë Spitalin Universitar të Traumës, 4 herë SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, si dhe disa institucione të tjera”, deklaron Ministria e Shëndetësisë.

JA SITUATA SIPAS MSH
1. SUOGJ “Koço Gliozheni” – Deri në mesditën e ditës nesërme nuk do të ketë probleme me mungesën e ujit, ndërkohë që aktiviteti i tij vazhdon normalisht;
2. SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” – Pas furnizimit të depozitave të ujit dhe furnizimit në vazhdimësi me anë të autoboteve, nevojat e institucionit janë plotësuar duke siguruar shërbimin normal;
3. Shërbimi i Traumës – Vijon ofrimin normal të shërbimeve dhe garanton vijimësinë normale të punës;
4. SU “Shefqet Ndroqi” – Nuk ka ndërprerje të furnizimit me ujë dhe puna vijon në funksionin e vet normal.
Aktualisht, aktiviteti spitalor dhe ai i ofrimit të shërbimeve spitalore në qytetin e Tiranës, vijon pa probleme.

Gjatë ditës janë marrë masat edhe për furnizimin e mjaftueshëm me ujë të Shërbimit të Dializës, duke siguruar dhënien e shërbimit në vijimësi për të sëmurët, të cilët kanë nevojë për dializë.

Nga ana tjetër, deri në zgjidhjen e këtij problemi me furnizimin e vijueshëm dhe pa probleme me ujë, për rastet e urgjencave kirurgjikale që mund të paraqiten pranë QSUT “Nënë Tereza”, sallat kirurgjikale të këtij spitali, do të suportohen nga ekipet dhe sallat e gatshme të SU “Shefqet Ndroqi”. Drejtoria e QSUT “Nënë Tereza”, po monitoron përdorimin e ujit në mjediset spitalore, duke garantuar furnizimin e nevojshëm dhe pa probleme në vazhdimësi.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: