Viti 2022 ka nisur me polemika të forta në komunitetin sportiv në vend, teksa drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes akuzojnë një nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it. Më konkretisht është Elez Gjoza, i cili nëpërmjet një prononcimi për “Panorama Sport” denoncon Tatjana Marashin (anëtare e KE në Komitetin Olimpik) për lobim kundër sportistëve të peshëngritjes dhe për gjobëvënie ndaj federatave në këmbim të votave në zgjedhje. Madje këtë gjë Gjoza e kishte ngritur edhe gjatë takimit të fundvitit që pati kryeministri me federatat e shumësportëshit.

“Nisur nga zhvillimet e fundit, të cilat kanë qenë në proces për vitin 2021, ku kemi pasur zgjedhjet në të gjitha federatat respektive dhe njëkohësisht edhe zgjedhjet në Komitetin Olimpik, ku dhe ishte ngërçi më i madh për sportin shqiptar. Dihet që KOKSH-i është institucioni më i lartë i sportit në Shqipëri.

Unë prej kohësh kam dashur që të bëj një apel, ku madje edhe në takimin që patëm me kryeministrin kam vënë në dukje që ka shefa klubesh që e kthejnë në tender dhe bëhen gjobëvënës për një votë, të cilën ata e komandojnë për çdo federatë”, u shpreh fillimisht Gjoza, duke vijuar më pas prononcimin e tij:

“Ky nuk është një shqetësim vetëm për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, por për të gjitha federatat në vend. Prandaj, dua që t’u bëj thirrje të gjithë shefave e klubeve dhe të gjitha shoqatave, që sporti tashmë duhet të vendoset mbi baza të shëndosha dhe jo mbi baza presionesh dhe aferash, të cilat duan të paragjykojnë dhe të zgjedhin njerëz të paaftë në krye të federatave, në këmbim të përfitimeve për interesa personale”, deklaron Gjoza.

Më tej, presidenti i shtangës shqiptare ndalet me akuza konkrete ndaj shefes së Klubit Shumësportësh të Skënderbeut, teksa kërkon largimin e saj të menjëhershëm nga Komiteti Olimpik:

“Tatjana Marashi, në mënyrë kategorike nuk duhet të jetë më anëtare e Komitetit Ekzekutiv në KOKSH. Siç dha dorëheqjen nga bordi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, duhet urgjentisht të paraqesë dorëheqjen edhe nga KOKSH-i, që sporti një herë e përgjithmonë të jetë i pastër, të ecë përpara dhe të kemi rezultate”, deklaron Gjoza, i cili thotë se i ka të vërtetuara dhe të dokumentuara pretendimet e tij kundrejt Marashit:

Tatjana Marashi 1
Tatjana Marashi 1

“Kjo zonjë ka bërë shumë presion gjatë fushatës për president të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Për këto që them unë kam dëshmitarë, pasi nuk kam qenë i vetëm, por bashkë me shefin e klubit Teuta, Kreshnik Lekën, i cili mund t’ua konfirmojë këto që unë deklaroj.

Tatjana Marashi më ka kërkuar personalisht lekë gjatë fushatës në këmbim të votës. Jam një dallëndyshe e parë që dua të bëj diçka të mirë për sportin shqiptar që njerëz të tillë nuk duhet ta përfaqësojnë më sportin, kushdo qofshin ata apo ato. Tatjana Marashi ka lobuar kundër peshëngritjes në Komitetin Olimpik, pasi një njeri që vendos gjoba bën gjithçka”.

APELI PËR FIDEL YLLIN

Në fund, numri një i peshëngritjes i bën apel Fidel Yllit, duke i kërkuar presidentit të Komitetit Olimpik largimin urgjent nga KOKSH-i të Tatjana Marashit:

“Thirrja ime shkon gjithashtu edhe për presidentin Fidel Ylli, i cili deri tani ka bërë një reformë të shkëlqyer duke i kthyer dinjitetin KOKSH-it. Në gjirin e tij në Bordin Ekzekutiv të KOKSH-it sot ka njerëz që duhet të largohen në mënyrë urgjente, pasi e përsëris, u vënë gjoba federatave dhe më konkretisht mua si president të FSHP-së në momentin kur janë zhvilluar zgjedhjet.

Po shohim një frymë të re, ku vetë kryeministri Rama vendosi në dispozicion të Komitetit Olimpik si asnjëherë tjetër shumën e 5 milionë dollarëve.

Palestrat tona do të gumëzhijnë, por nuk mund të punohet dhe të ecet përpara kur në Bordin Ekzekutiv të KOKSH-it kemi njerëz që i vendosin gjoba sportit. Prandaj edhe një herë e përsëris apelin tim për presidentin Fidel Ylli, së bashku me pjesën tjetër të bordit, që këta njerëz duhet t’i largojnë në mënyrë të menjëhershme”, përfundoi Gjoza. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb