Qeveria shqiptare shpenzoi 20 miliardë lekë [180 milionë euro] për ndërtimin e 4 kilometrave autostradë dhe 73 kilometra rrugë me dy korsi, bëhet e ditur nga raporti vjetor i Ministrisë së Infrastrukturës i publikuar në faqen e saj të internetit.

Qeveria shpenzoi nga ana tjetër 3.4 miliardë lekë për paga për programin e rrugëve dhe po kaq për shpenzime operative, të tilla si karburant, automjete e letër, për një total prej 27 miliardë lekësh, si pjesë e programit të infrastrukturës që financohet nga paratë e taksapaguesve pa kredi të huaj.

Me pak fjalë, kostot administrative të kontraktimit të 20 miliardë lekë punimeve ndërtimore në rrugë janë 7 miliardë lekë ose 26% e të gjithë programit.

Kategoria më e kushtuesve, ndërtimi i autostradave, të cilës qeveria në raporti i referohet si: Ndёrtim rruge tip A me katër korsi (2×2) sipas Standarteve të Re”, hëngri 2.7 miliardë lekë dhe me të, sipas raportit, u ndërtuan 4.08 kilometra rrugë.

Për një kategori tjetër rrugësh, të quajtur “Ndёrtim rruge tip A2’ 2×2 me trotuare dhe ndriçim”, qeveria shpenzoi 673 milionë lekë dhe mori në këmbim të këtyre parave një segment prej 0.93 kilometra.

Një kategori tjetër është “Ndёrtim rruge tip B1’ me dy korsi”. Për këtë, qeveria shpenzoi 1.44 miliardë lekë dhe mori 33.3 kilometra rrugë, por në raport nuk thuhet se ku gjenden këto rrugë.

Raporti thotë: “Nё kёtё produkt janё pёrfshirё kryesisht tipe rruge me dy korsi dhe gjёrёsi qё varion nga 10-17 m, siç mund të përmendim projektin “Ndërtim Rruga Kardhiq-Delvinë Loti 4, shtesë punimesh, Loti 7 dhe Loti 8 dhe shtesë punimesh”.

Rruga Kardhiq -Delvinë është përuruar tashmë që para dy vjetësh nga qeveria, pasi taksapaguesit shpenzuan mbi 120 milionë euro, por Ministria e Infrastrukturës bën me dije se kjo rrugë paska nevojë për shtesa punimesh, për të cilat janë shpenzuar vitin e kaluar këto para.

Programi tjetër i qeverisë është “Ndёrtim rruge tip C2 me dy korsi”. Për këtë program janë shpenzuar 3.4 miliardë lekë dhe qeveria thotë se ka marrë 39.8 kilometra rrugë.

Rrugët tip C2 me dy korsi

Ndërtim By Pass Tepelenë Loti 1, shtesë punimesh;
Ndërtim rruga Korçë – Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë) dhe pjesa e dytë;
Ndërtim rruga Palasë – Dhërmi;
Rikonstruksion i rrugës Dukaj – Sinanaj, Tepelenë;
Ndërtim i rrugës, lidhja e Autostradës Milot – Morinë me Aeroportin e Kukësit;
Rehabilitim i segmentit rrugor Levan – Vlorë (rruga e vjeter).
Rikonstruksion i aksit rrugor Maliq – Lozhan i Ri Strelcë;
Zgjerimi i rruges Elbasan – Qafë – Thanë (Faza I);
Ndërtim i rrugës së Fushë – Bardhës, lidhja me rrugën Kardhiq – Delvinë;
Ndërtimi i rrugës së fshatit Senicë dhe lidhja me rrugën Kardhiq – Delvinë;
Ndërtim i lidhjes së rrugës së Oroshit me rrugën e Kombit,
Përfundimi i punimeve në segmentet rrugore ura e Kranesë Qafë Botë, Ura e Kranesë Ura e Gajdarit dhe përmirësimi i segmentit rrugor Shijan Ura e Gajdarit;
Ndërtim rruga lidhëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) – Autostrada Fier Vlorë./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: