Ministria e Punëve të jashtme ka bërë të ditur se ka pasur një debat ndërmjet ministrit në deytrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe ministrit të jashtëm serb.

“Përralla të tjera tregoni në Beograd dhe të tjera këtu. Ndalni dhunën ndaj qytetarëve dhe bizneseve tona në kufi dhe në territorin tuaj. Skandalet tuaja në Afrikë janë të njohura…”, thuhet t’i jetë drejtuar Pacolli, ministrit serb Daçiçit.

Njoftimi i plotë:
Debat midis ministrit Pacolli dhe atij serb Daçiç në Helsinki: “Përralla të tjera tregoni në Beograd dhe të tjera këtu. Ndalni dhunën ndaj qytetarëve dhe bizneseve tona në kufi dhe në territorin tuaj. Skandalet tuaja në Afrikë janë të njohura…”

Helsinki, 30 gusht 2019 – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, po përfaqëson Kosovën në takimin e rëndësishëm që shënon njëkohësisht fillimin e presidencës finlandeze të BE-së. Gjatë paraqitjes së Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe atij serb, Ivica Daçiç, gjatë punimeve të sesionit të diskutimeve dhe debatit në Forumin informal të 28 ministrave të jashtëm të BE-së, dhe atyre të Ballkanit, u zhvillua debat i ashpër.

Ministri Pacolli reagoi ndaj përpjekjeve djallëzore të shefit të diplomacisë serbe për të paraqitur një rol konstruktiv të Serbisë në rajon dhe për të demonizuar Kosovën në një forum kaq prestigjioz.
“Ju tregoni përralla të tjera në Beograd dhe të tjera këtu “, I tha ministri Pacolli, homologut të tij serb. “Nuk jeni engjëll si doni të dukeni me fjalët e bukura para kolegëve të Evropës. A ju duket evropiane dhunimi i autobusëve, i qytetarëve, i bizneseve tona në pikat kufitare, apo në territorin e Serbisë ? Skandalet që ju keni bërë nëpër Afrikë janë të njohura tashmë për të gjithë “, shtoi në fjalën e tij ministri Pacolli.

Ndërkohë në fillim të fjalës së tij, ministri Pacolli falënderoi Komisioneren për punë të jashtme Mogherini për ftesën që i bëri Kosovës të merrte pjesë si e barabartë në një forum kaq të rëndësishëm diplomatik. Duke vlerësuar ndjenjën e përkatësisë euroatlantike të Kosovës, ministri Pacolli i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të përmbyllte misionin e vet ndaj Kosovës, duke e ndihmuar në përkryerjen e shtetësisë, mision që nisi me çlirimin e Kosovës nga gjenocidi, dhe vijoi me ndihmën e dhënë në krijimin dhe mbështetjen e institucioneve të reja kosovare.

Më tej ministri Pacolli shtoi se Kosova dhe populli i saj janë më të izoluarit e kontinentit Evropian, dhe shtoi se kjo gjendje s’duhet të vazhdojë. “Ne kemi përfunduar detyrimet tona sipas kontratës: ju lutem, kosovarët duhet të lëvizin të lirë, ne e meritojmë Evropën, sepse jemi evropianë!”, shtoi ai.Duke ju referuar dialogut me Serbinë dhe pretendimeve serbe, ministri Pacolli tha me vendosmëri se Plani Ahtisaari ishte maksimumi i lëshimeve që Kosova i ka bërë Serbisë në të gjithë planet. Pacolli i përkujtoi këtij forumi të rëndësishëm se statusi që ka Kosova sot ka legjitimitet të plotë ndërkombëtar, madje është pranuar edhe prej shteteve që e kundërshtojnë pavarësinë sot. Në vëmendje të pranishmëve ai solli një deklaratë të miratuar në Londër në 31 janar 2006, të ministrave të jashtëm të vendeve të Grupit të Kontaktit, BE-së, ku përveç 3 parimeve të njohura, i bëhej thirrje Beogradit të mbajë parasysh se statusi i Kosovës duhet të ketë pëlqimin e popullit të saj.
“Demarkacioni mes dy shteteve që nënkupton njohje reciproke, është i domosdoshëm, pa rregullime territoriale. Kosova është gati për dialog pa kushte… në baza barazie, por ne po bllokohemi ekonomikisht dhe diplomatikisht nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina në rajon dhe kudo”, tha ai.
Duke denoncuar në këtë forum të rëndësishëm evropian, fushatat diplomatike të Serbisë kundër Kosovës, ku po përdoren para të paligjshme, shefi i diplomacisë kosovare, tha se vendosja e taksës 100% ishte reagimi legjitim i frustrimit ndaj kësaj situate të papranueshme. Gjatë qëndrimit në këtë forum, ministri i jashtëm Pacolli pati takime të shkurtra dhe të frytshme me homologët e tij të shteteve kryesore evropiane, me ata të rajonit, etj

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb