Vendimi i zbardhur i Gjykatës Administrative të Durrësit që nuk pranoi kërkesën e kompanisë “Erioni shpk” për të frenuar prishjen nga IKMT të pishinave dhe pistës së “Prestige Resort”, si dhe për të ndaluar ekzekutimin e gjobës gati 200 milionë lekëshe derisa çështja të gjykohej në themel, hedh dritë mbi shkeljet e rënda të gjyqtarit Adrian Shega.

Në dokumente del qartë se Gjykata Administrative e Durrësit ka qenë në bashkëpunim me IKMT. Kërkesa për sigurim padie është bërë të premten e 2 shtatorit, në të njëjtën ditë kur IKMT dhe policia mësynë në “Prestige Resort” për të prishur pishinat dhe pistën. Ndërkohë gjykata jo vetëm nuk është vënë në lëvizje menjëherë për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë me dëm të parikuperueshëm ose jo, por e ka lënë seancën katër ditë më vonë, më 6 shtator.

Duket qartë se vendimi ka qenë i paracaktuar pasi në të thuhet se më 6 shtator gjyqtari Adrian Shega ka njoftuar palën “Erioni shpk” me procesverbal elektronik në orën 08.58, dhe IKMT në orën 09.05 se seanca do të zhvillohet në Dhomë Këshillimi në orën 09.30 dhe i ka kërkuar palëve që të paraqesin prova konkrete shtesë. Avokatët e kompanisë kanë reaguar menjëherë duke paraqitur 15 minuta më vonë një kërkesë zyrtare pranë gjykatës që seanca të zhvillohet në orën 13:00 po të asaj dite, me qëllim sigurimin e provave shtesë. Ishte e pamundur që për 32 minuta provat të vinin fizikisht nga zyrat kompanisë në Tiranë tek Gjykata Administrative e Durrësit. Gjyqtari Adrian Shega e ka rrëzuar këtë kërkesë pa argument bindës. Por bashkëpunimi i Adrian Shega del qartë, pasi provat e kërkuara prej tij IKMT i kishte gati. Adrian Shega u paraqit në seancë 30 minuta nga njoftimi me dosjen e përgatitur.

Absurdi i vendimit qëndron edhe në faktin se nga njëra anë kërkuesit nuk i jepet koha për të dërguar prova shtesë në gjykatë dhe nga ana tjetër thuhet se pala kërkuese nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme.
Po ashtu “Erioni shpk” kishte treguar gatishmërinë që gjykata të vendoste një garanci pasurore deri në një vendimmarrje përfundimtare. Me shpërfillje gjyqtari Adrian Shega nuk ka marrë parasysh argumentimet e avokatëve se objektet e konstatuara nga IKMT nuk janë objekte në tejkalim të lejes së ndërtimit, sikurse rezulton nga planimetria e kompleksit.

Për gjyqtarin Adrian Shega shembja e objekteve të “Prestige Resort’ në të njëjtën ditë kur pronari është njoftuar nuk është shkelje dhe prishja e një investimi prej miliona euro për të cilin gjykata nuk ka vendosur në themel nëse është me leje ose jo, nuk është dëm i pariparueshëm. Ky vendim i gjyqtarit Shega cenon rëndë interesin publik, pasi nëse gjykimi në themel rrëzon IKMT, atëherë dëmshpërblimin prej miliona euro do të duhet ta paguajnë taksapaguesit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb