TIRANE – Drejtuesit e aeroportit të Rinasit kanë bërë një gafë të rëndë teksa e kanë konsideruar kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën si pjesë të Jugosllavisë.

Në faqen zyrtare të aeroportit, shfaqen destinacionet e fluturimeve dhe krah Prishtinës, në kllapa janë inicialet (Yu), shkurtim për Jugosllavi.
Pas publikimit të skandalit, destinacioni Prishtina u hoq nga faqja për korrigjim.
aeroporti-pristina-yougoslavi

Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle është irrituar dje kur ka vënë re në aeroportin e Rinasit që Prishtina konsiderohet ende si pjesë e Jugosllavisë.

“Turp! Turp! Turp! Nuk e kam zakon që të postoj dy statuse në një ditë, por sot më detyroi reagimin një veprim i turpshëm i aeroportit të Rinasit që në dokumentet e tij të udhëtimit e konsideron Prishtinën akoma si pjesë të Jugosllavisë! Cilado qoftë arsyeja,
injoranca, kodoshllëku burokratik apo interesa të ndyra tregtare(!!!) ky është një absurditet i turpshëm, treqind herë i turpshëm!”, – shkroi dje Dokle në një postim në rrjetin social “Facebook”.

Në radhët e komentuesve të Dokles në “Facebook”, bëri përshtypje komenti i Sekretarit të Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa, i cili i sugjeron Dokles, si pjesë e maxhorancës qeverisëse që të shohin “a mos ka dokumente të tjera në të cilat gjithë Kosova konsiderohet Jugosllavi! Dhe e kisha fjalën për koncesionet e tjera, që shteti i borgjezisë u ka dhënë firmave të huaja, të cilat nuk ia vërshëllejnë fare shtetit shqiptar!”, – shkroi Xhafa.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: