Dopingu “pret” kokën e parë në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Muharrem Berisha, që mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm në këtë institucion, ka dhënë ditën e djeshme dorëheqjen, ndërsa gjestin e tij, e ka cilësuar si një përgjegjësi morale për skandalin e dopingut që përfshiu peshëngritjen shqiptare pas Botërorit të Kazakistanit. Romela Begaj, Daniel Godelli dhe Hysen Pulaku rezultuan pozitivë në testin A të antidopingut, të tre ndaj substancës stanozolol. Numri dy i FSHP-së bëri me dije se pavarësisht se është i bindur për pafajësinë e peshëngritësve kuqezi, ai ndjen “një përgjegjësi morale për gjithçka ndodhi dhe kjo nuk i la një shije të mire”, duke vendosur të largohet nga posti i tij. Berisha bëri të ditur se “do të dal me një komunikatë për mediat të premten (sot), ku do të sqaroj më gjerësisht arsyet e këtij vendimi”. Sekretari Muharrem Berisha është zyrtari i parë në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes që jep dorëheqjen pas skandalit të dopingut që përfshiu këtë sport, ku deri në këto momente askush nuk kishte marrë përsipër përgjegjësitë për atë që ndodhi në Botërorin e Kazakistanit, duke shkaktuar dhe skandalin më të madh në sportin shqiptar.

(d.d/j.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb