Të vetëm, përballë mafies shtetërore dhe të fortëve të zonës. Kjo është historia e dy qytetarëve të Ksamilit bashkëshortëve Foti Doda dhe Sofia Doda. Pas shumë viteve punë në Greqi ata vendosin të kthehen në Shqipëri dhe të merren me turizëm, një pune që e kishin bërë edhe aty.

Çdo gjë po shkonte shumë mirë, që prej vitit 2008, kur kjo familje merrte me kontrata të rregullta, një stacion plazhi në Ksamil, duke paguar taksa vjetore e çdo detyrim tjetër ndaj shtetit.

“Ne këtë hapësirë e morëm në 2008 kur ishte komuna e Ksamilit. Për katër vite bëmë punime, hapje dhe rregullime. Bëmë punime, tarraca, mure. Nuk kishte rrugë, por bëmë 1.5 km rrugë që të shkoje në plazh. Në vitin 2012 filluan ndërtimet. Bëmë edhe ne një ndërtim me blloqe. Vazhdonin kontratat vit për vit”, thotë Sofia.

Por sot pas disa vitesh, sipas Sofias dhe Fonit, persona me pushtet dhe para, po iu marrin me forcë vendin ku për vite kanë investuar miliona lekë. Në këtë histori çdo vit shfaqet IKMT, punonjësit e së cilës kërkojnë para për drejtoreshën, në mënyrë që të lënë të qetë pronarët të ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Duke ndërtuar në atë hapësirë në breg të detit, familja Doda kishte marrë të drejtën për të punuar me anë të kontratave vjetore. Kjo u shfrytëzua nga punonjësit e IKMT-së, të cilët iu shkonin çdo shtator dhe çdo pranverë dhe iu kërkonin para, për të mos u shembur objektet. Pagesat që ata kërkonin varionin nga 5 mijë euro, 7.500 euro, e më lart.

“Punoja, por çdo fund behari kisha probleme. Nuk e bëmë me leje, por na lanë dhe e bëmë. U bënë 50 ndërtime atëherë, nuk ishim të vetëm. Filluan pastaj dhe thoshin duhet të paguash kaq apo aq. Për ndërtimin pa leje mori edhe një dënim burri. Edhe të tjerët nuk ishin me leje. Vazhduam edhe në 2016 dhe 2017. E fituam gjyqin në gjykatën administrative. Pagesat që na kërkonin ishin 5 mijë euro, 7 mijë euro. Paratë i merrnin drejtuesit”.

“Në 2019 na vunë prapë gjobë. Atëherë erdhi një person Juli, që kërkoi 7500 euro. Ne nuk i kishim dhe nuk i dhamë. Na tha ‘nëse nuk jepen lekët, do prishet e gjitha’. Në shtator u mbyll. Në mars kur do niste sezoni i ri erdhi me një skrep të vogël. I thotë burrit ‘nëse nuk ke 5 mijë euro do prishet objekti’. I dhamë 3 mijë euro për të mos e prishur objektin dhe nuk e prishi. Për 2-3 ditë u pushua nga puna dhe ishte në kërkim’.

Ajo ndërtesë që familja Doda kishte ndërtuar u shemb në vitin 2021, pas shumë e shumë vitesh, pasi ajo ndërtesë ishte përdorur nga punonjësit e IKMT-së, si arsye për t’u zhvatur para pronarëve. Për herë të parë nga viti 2008, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, nuk ia jep kontratën e shfrytëzimit pronarëve, që e kishin përdorur për vite të tëra, sepse kësaj toke, i doli pronari, edhe pse në dokumentet shtetërore, ajo cilësohet e bllokuar, nën juridiksionin e shtetit, dhe Bashkisë së Sarandës, ndaj nuk mund të kishte pronar. Por nuk mjafton kaq.

Personi i cili pretendonte pronësinë e truallit në Ksamil, tërhiqet pas një viti, dhe del në skenë një tjetër person që pretendonte ta merrte nën shfrytëzim stacionin e plazhit. Ai mundi që të marrë dhe një kontratë shfrytëzimi nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit për stacionin e plazhit, por sipas familjes Doda kontrata u anulua, me argumentin se Merkeljan Musaj, kishte kryer falsifikime. Më pas Agjencia Kombëtare e Bregdetit, i dha përsëri lejen familjes Doda, e cila megjithatë nuk mundi dot ta shfrytëzojë lejen më shumë se 15 ditë, pasi pala tjetër, nuk e lejonte.

“Në 2021 na u bë prishja. Prisnim të dilte leja dhe nuk doli. U kthye përgjigjja nga AKB që kishte pronar, ishte Kostandin Goçi. Gjatë kohës bëmë rregullime dhe askush nuk na ra në qafë dhe në 2021 doli pronari. U interesuam për leje për herë të dytë dhe nuk na doli. Takuam çunin e bashkisë që na premtoi se do ta nxirrte lejen dhe nuk e nxori. Bëmë aplikim për 2022 për të bërë ‘beach bar’ dhe na u kthye përgjigjja që u refuzua leja dhe iu dha Markeljan Musait. Shkuam në Agjenci dhe e verifikuan që atje nuk kishte objekt. Kur e verifikuan që kishte falsifikim aty, leja iu refuzua atij dhe na u dha ne”.

“Musai e kontratën e parë që kishte marrë me falsifikim hapi gjyq kundër bashkisë dhe Agjencisë”

Pasi Agjencia Kombëtare e Bregdetit, vendosi t’ia kalojë kontratën e shfrytëzimit Foti Dodës, Markeljan Musaj shkon në Gjykate, duke kërkuar sigurim padie, me argumentin se në këtë stacion plazhi ka kryer investime me vlera të konsiderueshme ekonomike, dhe për pasojë ato janë të pariparueshme. Gjyqtari i çështjes rrëzon kërkesën, pasi sipas tij nuk ka prova dhe fakte për të vërtetuar dëmin që Musaj pretendon.

Në 15 korrik të këtij viti u zhvillua seanca e radhës gjyqësore, ku shtetasi Markeljan Musaj paditi Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, Bashkinë Sarande dhe kërkonte sigurimin e padisë, duke argumentuar përsëri se ka investuar në këtë stacion plazhi dhe dëmi ekonomik është i pariparueshëm.

Nga ana tjetër Agjencia Kombëtare e Bregdetit pranoi se fillimisht ia ka dhënë të drejtën e kontratës shtetasit Markeljan Musaj, por pasi ka verifikuar situatën në terren, është ndeshur me një falsifikim që kishte bërë shtetasi Musaj, e për pasojë stacioni i plazhit i kaloi Foti Dodës.

NGA SEANCA GJYQESORE
“Pala e paditur, Agjencia Kombëtare e Bregdetit… se në të njëjtin stacion plazhi kanë aplikuar dy subjekte, ku Markeljan Musai figuron në ekstraktin e regjistrit si person fizik me fushë veprimtarie bar-restorant, stacion plazhi, duke aplikuar me strukturë shërbimi ekzistuese, ndërsa subjekti Foti Doda, ka aplikuar për vendosje strukture shërbimi, në brezin e shërbimeve të stacionit të plazhit. Në zbatim të parimit të prioritetit, është miratuar paraprakisht aplikimi i Markeljan Musajt, që ka aplikuar duke parashtruar se ka strukturë shërbimi, ndërkohë që subjekti Foti Doda, ka aplikuar se kërkon të vendosë një të tillë. Pas kryerjes së verifikimeve nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ka rezultuar se subjekti Musaj nuk ka strukturë, por kjo strukturë i përket subjektit Flamure Ibrahimi. Në këtë zonë aktualisht nuk ka strukturë shërbimi, pasi objekti është prishur si i paligjshëm. Në të tilla kushte është refuzuar aplikimi i paditësit dhe është miratuar kërkesa e subjektit Fotit Doda.

Por Markeljan Musaj, vendos që të mos i shkonte seancës gjyqësore deri në fund, por të tërhiqej, duke hequr dore prej çështjes, dhe në këtë mënyrë trupa gjykuese ta pushonte”.

Kërcënimet ndaj familjes Doda, ishin të forta. Vetë Sofia, 60-vjeçare, tregon se është dhunuar nga pala tjetër, e për këtë ka kallëzuar edhe në polici, por deri më tani për dhunën që është ushtruar ndaj saj, nuk ka përgjegjës, veçse një përgjigje nga Policia e Shtetit e Sarandës, se çështja është duke u hetuar.

“Na kërcënonin, nuk na lejonin të shkonim të punonim. Ata mblidheshin shumë vetë. Pas mbarimit të gjyqit shkova me punëtorë për ta hapur dhe na qëlluan. Ndodhi në 23 korrik të këtij viti. Në 30 gusht filloi policia t’i hiqte ata të tjerët dhe nga 1 shtatori filluam të çonim çadrat dhe krevatet. 10-12 ditë nuk na ranë në qafë. Na kanë bërë presion të jashtëzakonshëm. Na thanë ‘jeni pleq, do pësoni ndonjë gjë’. Unë e ndërtova me duart e mia. Kemi bërë punë pafund atje. Këta personat nuk e di pse më kanë rënë mua në qafë. Ne jemi në punën tonë, nuk i kemi rënë njeriut në qafë. Kemi investuar të gjithë djersën e familjes. Nuk është vendi im, por kam investuar me lejen e shtetit. Pas kaq kohësh po ma marrin çuna të rinj, të bëjnë presion që të ikësh. Kjo është një gjë që zgjidhet shumë kollaj, Bashkia duhet të na mbrojë”.

Kalvari i problemeve për këtë familje nuk kishte të mbaruar, pasi këtu sipas Sofie Dodës, fillon një tjetër përplasje e fortë. Nga institucionet shtetërore në muajin shtator të këtij viti i doli leja për të ndërtuar një ‘beach bar’, por problemi ishte se asnjë inxhinier apo topograf, nuk shkonte të kryente punën, madje edhe kur një topograf nga Tepelena, kishte kryer punën e tij, pas disa ditësh ai e anuloi, me arsyen se e kishte bërë gabim. Kjo sipas Sofies ndodhte për një arsye, sepse këta persona kërcënoheshin nga pala tjetër.

“Më 13 shtator na doli leja për ‘beach bar’. Aplikimin e kishim bërë qëkur na doli leja e plazhit. Inxhinieri e kishte bërë 3-4 herë gabim. Nuk e di pse bëheshin këto gabime. Shkuam në 13 shtator të bënim ‘beach bar’. Në atë moment nuk gjetëm topograf për ta përcaktuar. I njihnin personat e tjerë dhe nuk afrohej asnjë. Inxhinieri na tha ‘nuk kam më punë me ju’. Besoj që kishin lidhje me këta persona. Morëm një topograf nga jashtë, sipas lejes na caktoi ku duhej bërë ‘beach bar’. Me shumë zhurmë e filluam. Policia na ndihmoi që të bëhej ‘beach bar’. Tani ata të tjerët thoshin kanë blerë tokën. Kur e ndërtuam një natë na merr topografi në telefon dhe na thotë e kam bërë gabim, që duhej ndërtuar në rërë. Ne jemi i vetmi plazh ku u prish ndërtesa. Kur topografi tha që është bërë gabim, erdhi Arieli vetë që është palë me ata”.

Sofie Doda ka një thirrje ndaj Kryeministrit Rama, se korrupsioni që ai pretendon se po e lufton, ka ngulur rrënjë thellë në institucionet shtetërore. Shpresa e vetme e 60-vjeçares janë ambasada amerikane dhe ajo greke, pasi Sofia disponon edhe një pasaportë të shtetit fqinj.

“Korrupsioni po vazhdon. Ai (Rama) flet vazhdimisht për korrupsionin. Nuk ndalon, por shtohet më shumë. Janë në dijeni edhe ambasada greke dhe ambasada amerikane dhe dua edhe mbështetjen. Nuk gjej të drejtën, nuk ma japin të drejtën”.

Përballë saj, thotë Sofia ndodhet një grup shumë i forte, që nuk merr parasysh asnjë letër të këtij shteti, duke treguar se pushteti i vërtetë në atë zonë janë ata.

“Ata nuk marrin parasysh letrat ose kontratat, por vendosin vetë. E di që u kanë rënë edhe njerëzve të tjerë në qafë. Janë mësuar me grabitje”.

Sofia na tregon edhe arsyet se pse ndërmori për herë të parë në jetën e saj të kryente një regjistrim me një zyrtar të bashkisë së Sarandës, dhe pse vendosi ta publikonte tani.

“Ishte një padrejtësi pafund. E bëra përgjimin për të mbrojtur veten. Mbase ishte edhe gabim, por shikoja që korrupsioni nuk ndalonte. E bëra përgjimin pa njohur njeri. Nuk jam njeri që të kem lidhje me administratën. Me gjithë këto që më ndodhën vendosa të bëja përgjimin. Nga përgjimi kuptova se si punon administrata. Nuk e nxora përgjimin më parë se e shikoja që kishin shumë forcë dhe edhe po ta nxirrja prapë nuk do gjeja të drejtën”.

Pas rreth 15 vitesh kthim në Shqipëri Sofia dhe Foti Doda shprehen të zhgënjyer që u rikthyen në Shqipëri për të investuar, se pas po marrin vetëm dhunë fizike, e psikologjike, në moshe të thyer.

“Kam ardhur të investoja në vendin tim se kujtoja që do isha më mirë. Më pëlqente vendi im. U zhgënjeva”.

Kjo është historia e dy të moshuarve nga Ksamili, të cilët për vite të tëra, janë zhvatur nga institucionet e shtetit shqiptar, e më pas dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga të tjerë që nuk njohin ligjet dhe letrat e këtij shteti. Ata thonë se kurrë në jetën e tyre nuk e kishin menduar se në të 60-tat do të përballeshin me atë çfarë po heqin sot, por nga ana tjetër shprehen të bindur se të drejtën e tyre, djersën e tyre nuk do e falin, por do të luftojnë e do shpresojnë deri në momentin e fundit, që një ditë drejtësia të vihet në vend.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb