Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, i cili prej muajsh shërben si Covid-2, ka reaguar pas skandalit të denoncuar mbrëmjen e kaluar nga emisioni investigativ “Stop”, ku një sanitare i kishte marrë 8 milionë lekë një vajze për t’u shpëtuar të ëmën, e cila fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.

Sanitarja Tire Alldërvishi i kishte zhvatur 30-vjeçares lekët, duke i premtuar se do i shpëtonte të ëmën nga koronavirusi, por në të vërtetë nuk i kishte dhënë as bukë për të ngrënë. Në reagimin e tij, spitali Covid-2 dënon ashpër ngjarjen, ndërsa iu kërkon autoriteteve të kryejnë hetimin e rastit deri në fund.

“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi'”, thuhet në reagimin e spitalit “Shefqet Ndroqi”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb