Zbardhja nga UEFA e dosjes “Skënderbeu” ka sjellë reagimin e menjëhershëm të aktorëve të tjerë të futbollit shqiptar. Faktet e argumentuara nga UEFA kërkojnë më çdo kusht reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, në të kundërt gara bëhet edhe më e pabesueshme. FSHF vazhdon të zgjedh heshtjen, ndërsa mëngjesin e sotëm ka reaguar edhe klubi i Partizanit, një nga palët e prekura nga ky skandal:

“Pasi lexuam me vëmendje të gjithë vendimin e argumentuar të Komisionit të Apelit në UEFA dhe duke ditur që CAS e ka lënë në fuqi, klubi i Partizanit shpreh keqardhjen që trukimi i ndeshjeve ka marrë përmasa të tilla në futbollin shqiptar. Njëkohësisht, ndihemi të indinjuar që kemi qenë viktimë e manipulimit të rezultateve, duke na hequr mundësinë që të realizojmë objektivat tonë, për shkak të ndërhyrjeve të pandershme në futboll. Por, bëhet akoma më e rëndë kur mendojmë që puna e madhe e futbollistëve, stafit dhe sakrificat e tifozëve në sezonin e kaluar 2015-16 nuk vlerësohen në mënyrë korrekte nga Federata Shqiptare e Futbollit. Për aq kohë sa UEFA na njohu si kampionë të Shqipërisë, që na cilësoi si të denjë për të marrë pjesë në Champions League, do ishte e nevojshme që edhe organi që drejton futbollin në Shqipëri, FSHF, të mbante një qëndrim. Ose të bëhej palë me klubin që ka trukuar disa ndeshje sezonin e kaluar (faktuar nga të gjitha organet gjyqësore sportive), ose të distancohej dhe të merrte masat e caktuara ndëshkuese, siç e përcakton rregullorja e këtij sporti. Klubi i Partizanit nuk kërkon asnjëherë trofe të padrejtë, por kërkon drejtësi. Klubi i Partizanit i kërkon Federatës Shqiptare të Futbollit që t’i kthejë atë pak nder të mbetur sezonit të kaluar, thjesht për të vlerësuar si duhet kontributin e ndershëm të atyre djemve që kanë dhënë maksimumin në fushën e lojës. Jemi të bindur, që me zbardhjen e këtij vendimit, secili do marrë atë që meriton. Urojmë që pandëshkushmëria e “krimit” të mos bëhet precedent. Më mirë drejtësi të vonuar, se sa drejtësi të munguar..”
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb