Analisti Genc Burimi gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ka folur në lidhje me denoncimin e publikuar së fundmi ku zyrtarë të doganës së portit të Durrësit marrin ryshfete për të kaluar mallra dhe për t’i futur ato në vend.

Sipas Burimit kjo është gjëja më e rëndë që mund të ndodhë në një shtet, pasi cenohet siguria kombëtare sepse këto mallra që kalojnë me ryshfete dëmtojnë ekonominë dhe cilësinë e tyre në treg.

Ai shtoi se duhet të hapet një hetim për këtë çështje, teksa tha gjithashtu se kjo që po shihet në këtë rast është korrupsion dhe abuzim me postet e pastrim parash të cilat sipas tij do pastrohen në amnistinë fiskale të Ramës.

“Kjo është gjëja më e rëndë që mund të ndodhë në një shtet, pasi cenohet siguria kombëtare. Këto mallra që kalojnë me ryshfete dëmtojnë ekonominë dhe cilësinë e mallrave në treg. Sot duhet se s’bën kërkimi i një komisioni hetimor në lidhje me këtë skandal. Ambasadorja Kim duhet të jetë në palën paditëse në lidhje me këtë skandal. Ajo tha që SHBA është në krah të shqiptarëve të thjeshtë. Nuk luhet me këto gjëra, aspak. Duhet të hapet një hetim për këtë çështje.

Kjo që po shohim sot është tipike e asaj që po ndodh në vend, korrupsion, abuzime me postet dhe pastrim parash të cilat shkojnë pastrohen te amnistia fiskale e Ramës. Që kjo të mos ketë jehonë te institucionet qeveritare është skandaloze. Drogë, armë dhe nesër mund të hyjë materie nukleare në vend, gjithçka mund të ndodhë. Duhet të pezullohet marrëveshja me firmën kontraktore të skanerëve në port, duhet të vijë ushtria në portin e Durrësit deri sa hetimi të shohë ku ka shkuar skema.

Kjo skemë nuk mund të bëhet pa një mbështetje, drejtësia duhet ta provojë. SPAK-u nuk ka urgjencë më të madhe se porti i Durrësit ku po bëhet hataja. SPAK nuk po vepron se mund të kontrollohet nga qeveria ose janë njerëz  shumë të trembur dhe janë rehat me atë rrogën që marrin. Duhet një protestë të bllokojnë portin e Durrësit, po lejohen kriminelë aty. Këto denoncime e kanë vendosur në pozitë të vështirë qeverinë Rama, opozita duhet të jetë në terren, është skandal, e paimagjinueshme.

Është arsye tërësore pse Rama është ftohur me Yuri Kim sepse amerikanët nuk mund të kenë standard të dyfishtë. Çarja filloi me amnistinë fiskale dhe më pas vijoi me pasaportat e arta. Shqipëria jep pasaporta të arta duke bërë të njëjtën gjë që bëjnë Rumania dhe Moldavia, moldavët marrin pasaportë rumune dhe hyjnë në Evropë. Këtë pasaportë mund t’ia japë një trafikanti, njëri nga Kolumbia apo Ekuadori, etj dhe t’i hapë rrugën për të hyrë në Evropë pa viza. Qeveria hesht për këtë pikë. Duhet t’i thuhet copë qeverisë Rama që është e patolerueshme që të mendohet të bëhet amnistia fiskale në vend”, tha Burimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb