Presidentja e Parlamentit Evropian premtoi një seri të gjerë reformash që do të jetë gati vitin e ardhshëm për të luftuar rastet e korrupsionit mes deputetëve të Parlamentit Evropian, pas skandalit mbi një përpjekje të supozuar të Katarit për të blerë ndikim nga anëtarët e parlamentit.

Kryetarja e parlamentit të Bashkimit Evropian Roberta Metsola tha sot se skandali i korrupsionit dhe ryshfetit që përfshin disa eurodeputetë, ishte një goditje për demokracinë, ndërsa u zotua të rivendosë besueshmërinë e institucionit.

“Natyrisht, këto procedime penale që përfshijnë Parlamentin janë të dëmshme. Ato janë të dëmshme për demokracinë, për Evropën dhe për gjithçka që ne mbështesim. Besimi, që ka dashur vite për t’u ndërtuar, por vetëm pak çaste për t’u shkatërruar, do të duhet të rindërtohet dhe puna për këtë fillon tani”, tha zonja Metsola.

Skandali, i cili filloi të shpaloset publikisht javën e kaluar, ka dëmtuar reputacionin e institucionit të vetëm të BE-së, i përbërë nga zyrtarë të zgjedhur drejtpërdrejt në 27 vendet anëtare. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se do të merren masat e duhura pasi të jenë vërtetuar të gjitha faktet.

“Mendoj se duhet të dimë faktet, të kuptojmë se kush është i përfshirë dhe më pas të marrim masat e duhura.//Ne do të marrim vendime, institucionet kompetente do të marrin vendimet e duhura në bazë të fakteve”.

Kryeministri belg Alexander De Croo mbështeti zonjën Metsola në punën e saj për përmirësimin e parlamentit pas skandalit.

“Mendoj se drejtësia belge ka bërë një punë shumë të mirë dhe do të vazhdojë të bëjë punën e saj. Kjo është e rëndësishme, Parlamenti Evropian është organi më i rëndësishëm demokratik në kontinentin tonë, kështu që ne mbështesim presidenten në të gjitha përmirësimet që ajo dëshiron të zbatojë”.

Prokurorët kanë akuzuar katër persona të paidentifikuar për korrupsion, pjesëmarrje në grup kriminal dhe pastrim parash.

Mes tyre ishte edhe nënkryetarja e parlamentit evropian, deputetja greke, Eva Kaili. Ligjvënësit votuan me shumicë dërrmuese të martën për t’i dhënë fund mandatit të saj në detyrë. Autoritetet nuk e kanë identifikuar vendin e Gjirit të dyshuar për ofrimin e parave ose dhuratave për zyrtarët në parlament në këmbim të favoreve politike, por disa anëtarë të asamblesë dhe disa media belge e kanë lidhur hetimin me Katarin. Sipas prokurorëve belgë, hetuesit kanë sekuestruar qindra mijëra euro në shtëpitë e zyrtarëve./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: