TIRANE- Ngjarja e ndodhur tre ditë më parë në Shkodër me të vegjlit e Shtëpisë së Fëmijës, është bërë temë debati edhe në seancën e sotme plenare. Në pamjet e publikuara shfaqeshin tre kujdestare, dhe fëmijët të cilët dhunohen prej tyre. Pas këtij skandali, tre kujdestarët u pushuan nga puna dhe filloi procedimi penal ndaj tyre, ndërsa u shkarkua me urdhër të ministrit të Mirëqenies, edhe drejtoresha e këtij institucioni.

Në seancën e sotme plenare, ministri Bledi Klosi është shprehur se gjendja në qendrat e përkujdesit në Shkodër ka degraduar dhe situata paraqitet mjafte vështirë. Sipas ministrit duhet një reformë e thellë për të ndryshuar mënyrën e menaxhimit të të gjitha qendrave të përkudjesit në vend.

“Shkoni shikoni si e kanë lënë pushtetarët tuaj qendrën e kudjesit ndaj moshës së tretë në Shkodër. Duhet të aplikohet programi i novacionit dhe të bëhen ndryshime në mënryën e menaxhimit, dhe aplikimit të fondeve që sot po miratojmë. Në jetimoren e Shkodrës u bënë ndryshime. Sistemi ka degraduar, ndaj duhet reformë e thellë. Do bëhet testim për edukatoret, pasi çështja ka të bëjë me sistemin edukativ. Gjatë kontrollit gjetëm një menu të papërshtatshme për fëmijët. Ata ndodhe në një situatë mjerane, hanin bukë me sheqer. Ngjarja e tre ditëve me parë ndodhi dhe për shkak të kulturës sonë”, tha ministri Klosi.

Por pas fjalës së ministrit Klosi ka replikuar deputetja demokrake Albana Vokshi, e cila është shprehur se përgjigjja e ministrit për ngjarjen në Shkodër e ka zhgënjyer.

“Zhgënjyese përgjigja juaj për ngjarjen në Shkodër. Ngjarja në jetimoren e Shkodrës duhet dënuar, pasi është e papranueshme. Ata fëmijë nuk kanë nevojë vetëm për bukë dhe ujë, por edhe për përkujdesje dhe dashuri”, tha Vokshi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb