Skandali me publikimin e të dhënave personave, si pagat dhe targat, të më shumë se 600 mijë shqiptarëve, nuk janë në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Kështu deklaroi sot kreu i SPAK, Arben Kraja, i cili theksoi se ky institucion vepron mbi bazë të kompetencave. Sipas Krajës, nëse në skandalin e publikimit të pagave do të ketë të përfshirë subjekte apo vepra penale që janë në kompetencën e SPAK, patjetër që ky institucion do të përfshihet në hetim.

“SPAK vepron mbi bazë të kompetencave. nxjerrja e të dhënave publike nuk është në kompetencën tonë, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Nëse do ketë përfshirje të subjekteve apo vepra penale që janë në kompetencën tonë, patjetër që edhe SPAK do të hetohet”, u shpreh kreu i SPAK, Arben Kraja.

Duke u ndalur te rezultatet e SPAK në vitin 2021, Kraja paralajmëroi se përgjatë vitit 2022 do të ketë rezultate edhe më cilësore nga ky institucion në të gjitha fushat, si goditja e krimit apo korrupsioni në nivele të larta.

“2021 ishte një vit konsolidimi i SPAK, nga pikëpamja e ngritjes së BKH, gjysma e saj, nga pikëpamja e ngritjes së strukturës, por edhe rezultateve.. Janë bërë rezultate në të gjitha fushat, qoftë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsioni në të gjitha nivelet e sistemet, si dhe në përdorimin e fondeve publike.

2022 do të jetë një vazhdim me intensitet më të lartë dhe tregues më të lartë në të gjitha këto fusha. Shpresoj të mbyllim komplet BKH në gjysmën e parë të vitit dhe pastaj të vazhdojmë me ushtrimin e ndjekjes penale brenda prioriteteve që kemi. Rezultatet do të jenë në vazhdimësi dhe më cilësore”, deklaroi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb