Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar në lidhje me publikimin e të dhënave personale, ku përfshihen edhe pagat e shqiptarëve.

AMA thotë se ka kërkuar marrjen e masave për ndalimin e transmetimit dhe përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale.

Më tej, AMA thekson se në vijim të shkresës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, “kërkojmë nga ana juaj respektimin e kërkesave të ligjit tonë organik dhe legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale si një e drejtë kushtetuese”.

Reagimi i AMA-s

Marrë shkas nga publikimi i bazës së të dhënave personale të qytetarëve shoqëruar me numrat e kartave të identitetit, pozicionet e punës, pagat etj, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me shkresën nr. 2119 prot., datë 23.12.2021, administruar në Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA, me nr. 4068 prot., datë 23.12.2021, ka kërkuar marrjen e masave për ndalimin e transmetimit dhe përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale.

Referuar parimeve themelore të veprimtarisë së mediave audiovizive, të parashikuara në dispozitat e ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, operatorët e shërbimit audioviziv gjatë veprimtarisë së tyre duhet të respektojnë dhe garantojnë të drejtën e ruajtjes së jetës private.

Në mënyrë më të detajuar, parimet, rregullat, kërkesat dhe praktikat në transmetimet audiovizive përcaktohen në Kodin e Transmetimit.

Në pikën 3.6 të Seksionit 3 të këtij akti nënligjor, përcaktohet se: “OSHMA-të duhet të respektojnë legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave dhe direktivat e vendosura nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të zbatueshme për përpunimin e të dhënave personale për qëllime gazetareske, letrare apo artistike. …”

Sa më sipër dhe në vijim të shkresës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kërkojmë nga ana juaj respektimin e kërkesave të ligjit tonë organik dhe legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale si një e drejtë kushtetuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb