Kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit janë në rritje, pas akuzave se një program i krijuar nga kompania private e sigurisë “NSO” është përdorur për të përgjuar gazetarë, disidentë dhe udhëheqës politikë në mbarë botën. Një grup ligjvënësish amerikanë kërkojnë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj kompanisë, e cila i mohon akuzat. Ndërkohë disa ekspertë në Izrael kërkojnë miratimin e ligjeve më të mira për rregullimin e çështjeve kibernetike.

Një hetim nga grupe për të drejtat e njeriut dhe shtypi akuzojnë qeveri të ndryshme për përdorimin e programit Pegasus të kompanisë NSO për të përgjuar dhjetëra gazetarë dhe disidentë në mbarë botën.

NSO tha se kjo është fushatë shpifjesh, ndërsa refuzoi pyetjet e gazetarëve.

Kompania tha se program i saj u shitet vetëm qeverive me qëllim të gjurmimit të terroristëve dhe kriminelëve.

Por disa analistë izraelitë thonë se programi mund të jetë përdorur kundër civilëve të parrezikshëm.

“Mjetet e sigurisë kibernetike mund të shfrytëzohen për qëllime të ndryshme, nganjëherë edhe për keqbërje. Pyetja është, çfarë bëni në raste të tilla? Si siguroheni që vendet që kanë të drejtë të përdorin programin tuaj, nuk po e keqpërdorin atë. Këtu qëndron problemi”, tha për Zërin e Amerikës Karine Nahon nga Shoqata izraelite e Internetit.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett iu përgjigj thirrjeve të Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili është identifikuar si një nga shënjestrat e përgjimit, duke thënë se Izraeli do të hetojë akuzat.

Disa ekspert ligjorë izraelitë sugjerojnë përfshirjen e qeverisë në marrëveshjen e Uasenarit, në të cilën 42 vende janë zotuar për më shumë transparencë në teknologjinë ushtarake dhe atë me përdorim të dyfishtë.

Por ata shtojnë se kompania NSO duhet të marrë përjgjegjësinë përfundimtare.

“Nuk mjafton qëllimi juaj i mirë dhe dëshira që produktet tuaja të përdoren vetëm në mënyra të caktuara. Kur u shisni qeverive produkte me të dhëna të dyshimta dhe ndonjëherë të dëmshme për të drejtat e njeriut, kjo është e pritshme. Mendoj se NSO duhet të pranojë të paktën përgjegjësi etike për atë që ka ndodhur”, tha për Zërin e Amerikës Yuval Shany, profesor në Universitetin Hebraik.

Disa analistë kibernetikë thonë se kjo çështje tashmë e ka dëmtuar reputacionin e Izraelit.

“Ne po fillojmë të shohim pasojat dhe dëmet, para së gjithash, për këtë kompani private, por edhe për Izraelin. Dëmi mund të jetë jo vetëm në fushën e sigurisë kibernetike, por edhe në marrëdhëniet politike, dypalëshe dhe shumëpalëshe”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës Tal Pavel nga Kolegji Akademik Yaffo në Tel Aviv.

Izraeli njihet si një vend me shumë hapësirë për kompani të reja teknologjike. Por akuzat e fundit tregojnë se teknologjia e avancuar mund të dëmtojë reputacionin e një vendi.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb