Një shifër para ose një zero pas dhe prona tjetërsohej, teksa katër persona kanë përfituar nga kjo gjë. Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” thuhet se ish-drejtori i Kadastrës së Vlorës Klodian Troci i arrestuar për shpërdorim detyre e falsifikim dhe vartësit e tij shtonin në dokumente mijëra metra katrorë tokë.

Por ajo që ka dalë në pah nga skandali është se pas grabitjes së zyrës së Këshillit të Qarkut në Vlorë më 11 tetor 2021 duket se qëndronte përpjekja për të fshehur gjurmët e një skeme kriminale të orkestruar nga ish-kreu i kadastrës, Klodian Troci dhe disa zyrtare shtetërorë për tjetërsimin e tokave në bregdet me një vlerë prej miliona eurosh.

Konkretisht Troci dhe zyrtare të tjerë të Kadastrës akuzohen se kanë tjetërsuar pronësinë e 63 mijë metrave tokë në fshatin Dhërmi.

Ajo që bie në sy fillimisht në dosje është fakti se me një të rënë të lapsit, shtetasit Spiro Duni i janë shtuar në mënyrë të paligjshme 1510 m2 tokë në Dhërmi. Por kjo ishte vetëm maja e ajsbergut të falsifikimeve në zyrat e Qarkut Vlorë. Përveç rastit të Spiro Dunit ekzistojnë dyshime edhe për 3 persona të tjerë, që dyshohet se kanë përfituar nëpërmjet falsifikimit 59 mijë m2 tokë.

Në njërin rast, dokumenti i marrjes në përdorim të tokës me sipërfaqe 670 m2 është tjetërsuar, duke i vënë një dysh përpara dhe duke e zmadhuar sipërfaqen në 2.670 m2.
Në rastin e dytë, një sipërfaqe prej 9.910 m2 e regjistruar në vitin 1994, është njehsuar në vitin 2020 me një sipërfaqe totale prej 52.510 m², duke i shtuar pronës plot 42.600 m2 përmes korrigjimeve.

Ndërkohë, një prej personave të përmendur në hetim, i cili kishte përfituar një sipërfaqe prej 4885 m2 në Dhërmi, nuk duhet të ishte përfitues në bazë të ligjit 7501, pasi ishte zhvendosur nga Himara në Tiranë në vitin 1960. Në vendimin e Gjykatës së Vlorës për masën e sigurisë, thuhet se dokumentet e falsifikuara kishin kaluar në shumicën e rasteve nga Bardhyl Gjika, në rolin e specialistit, te Troci si drejtues i Kadastrës së Vlorës, i cili në çdo rast kishte bekuar duke vendosur firmën e tij.

Për shkak të konflikteve, akuzave për korrupsion dhe tjetërsimeve të paligjshme të pronës, gjatë dy viteve të fundit, Agjencia Shtetërore Kadastrës Vlorë ndërroi 10 drejtues, një prej të cilëve ishte dhe Klodian Troci.
Gjykata caktoi masën ‘arrest me burg’ për Trocin, pasi ekzistojnë dyshime te arsyeshme se ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar vula, stampa e formularë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb