LUSHNJE – Thellohet skandali në Drejtorinë Arsimore të Lushnjës. Përveç hetimeve për korrupsion në këtë institucion arsimor, tashmë po hetohet edhe në një tjetër pistë. Mësohet se nga përgjimet e Prokurorisë së këtij rrethi (të autorizuara pas informacioneve se drejtorja Luiza Tabaku u kërkonte para mësuesve për t’i mbajtur në punë apo kandidatëve për mësues, për t’i punësuar), është zbuluar një tjetër fakt tronditës. Dyshohet se përveç parave, mësueseve apo kandidateve për t’u punësuar në arsim, u kërkoheshin favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Krahas përgjimeve, në dijeni të këtyre fakteve janë edhe dëshmitarë. Një arsimtare ka deklaruar se punonjës të Drejtorisë Arsimore zgjidhnin mësueset më simpatike nëpër shkolla dhe i merrnin në këtë drejtori me justifikimin se kishin punë, por në fakt dërgoheshin nëpër motele. “U kërkoheshin favore seksuale mësueseve që pretendonin të bënin karrierë apo të lëviznin nga një shkollë fshati në qytet. U jepeshin drejtuesve të zyrës apo edhe personave të tjerë jashtë saj”, – është shprehur ajo. Ndërkohë, pohohet se organi i akuzës disponon edhe pamje filmike që hedhin dritë mbi këtë skandal. Që prokuroria i disponon këto materiale, e ka pranuar edhe avokati mbrojtës i Luiza Tabakut. Kozma Jano, në një intervistë për “Respublica” është shprehur se “ajo që pretendon akuza, për favore, nuk ishin si akt në dosje, por ajo (Prokuroria) mund t’i nxjerrë ato gjatë hetimit. Janë të fshehta që i ruan hetimi dhe akuza duket e kënaqur. Ata nuk e paraqitën teknikën e përgjimit dhe është detyrimi i tyre të na e vënë në dispozicion”. Ndërkohë, përflitet se në përgjime rezulton edhe emri i një zyrtari të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, forcë së cilës i përket edhe Luiza Tabaku. Në një muaj përgjime, rastësisht është përmendur edhe emri zyrtarit të LSI-së, të cilit do t’i ofrohej një mësuese apo kandidate për mësuese për të kaluar disa orë me të në një hotel. Pasi siguroi prova për afera korruptive kundër Luiza Tabakut, prova të cilat i mjaftuan gjykatës për ta mbajtur zyrtaren e arsimit në burg, prokuroria u bëri thirrje të gjithë arsimtarëve që kishin dijeni për veprime antiligjore të Tabakut, që t’i denonconin. Duket se kjo thirrje ka të bëjë pikërisht me skandalin e favoreve seksuale.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: