TIRANE – “I vetmi faj që kanë bërë fëmijët tanë është fakti që kanë ndihmuar shoqen e tyre. Ata e kanë parë videon kur është shpërndarë nga autorët për qindra nxënës. Do të futen të gjithë në burg tani?”. Prindërit e dy të rinjve të arrestuar për “moskallëzim krimi” në lidhje me videoskandalin e QSUT­së shprehnin dje më këto fjali revoltimin e tyre. Teksa qëndronin para Drejtorisë së Policisë Tiranë në pritje të lirimit të fëmijëve, Fatmir Boçaj dhe Gjergji Kaço, përkatësisht babai i Albi Boçajt dhe Patrik Kaços, kundërshtonin fort akuzën e prokurorisë ndaj bijve të tyre. Në një bisedë për gazetën “Panorama” ata pohuan se ishin të bindur në pafajësinë e fëmijëve. Nga bisedat që kanë pasur me djemtë ata kishin mësuar se këta të fundit kanë mbërritur në spital pasi ishte realizuar videoja. “E pyeta djalin dhe më tha që nuk kishte fare lidhje me çfarë shfaqej në video dhe se nuk kishte bërë asgjë. Nëse do të ishte i përfshirë, do të vija direkt në Drejtorinë e Policisë të sqaroja pozitën e birit tim. Si dëshmitar le ta merrnin djalin, por jo ta arrestonin”, u shpreh Fatmir Boçaj. Ai nuk harronte të shtonte herë pas here se burokracitë në Drejtorinë e Policisë po mbanin jashtë çdo ligji të izoluar fëmijët e tyre, më shumë se katër orë pas vendimit të gjykatës për lirim.

Dy prindërit e cilësonin absurde akuzën e ngritur nga prokuroria ndaj fëmijëve të tyre. Ata thanë se djemtë e tyre kanë marrë vajzën e shfaqur në video nga spitali pasi e kishin shoqe, e kanë dërguar në shtëpinë e saj dhe se ata kanë mësuar për ekzistencën e videos ditë më vonë. “Çfarë krimi duhet të kallëzonin djemtë kur ata nuk kanë qenë në gjendje të vlerësojnë si krim veprimin e kryer prej shokëve të tyre? Ata e kanë parë videon më mbrapa, në një kohë kur autorët e kanë shpërndarë në shkollë. Do të futen të gjithë në burg tani për ‘moskallëzim’?”, pohuan prindërit. Babai i Patrik Kaços ngriti pretendime se djali i tij është pyetur në kundërshtim me ligjin në ambientet e Drejtorisë së Policisë. “Janë pyetur në kundërshtim të rregullave, pa avokat dhe pa praninë e një psikologu”, tha Gjergji Kaço. Nga ana tjetër, dy prindërit theksuan se ndiheshin të tradhtuar nga policia, ku sipas tyre, nuk zbatohet ligji. “Ne i edukojmë fëmijët të rriten me frymën e ligjit dhe shtetit, por në polici gjetëm fashistë. Askush prej tyre nuk do të zbatojë ligjin. Jemi tradhtuar nga policia, pasi i dorëzuam vetë fëmijët, me bindjen e plotë që i kishim të pafajshëm. Kush e mban tashmë përgjegjësinë e arrestimit të Albi Bocajt dhe Patrikut? Më tregoni kush e mban përgjegjësinë? Do të hapim një proces për këtë. Po a ka ndonjë burrë këtu që të thotë: ‘Po, unë e bëra gabimin’?”, tha babai i të dyshuarit Boçaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: