Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Spitali Universitar i Traumës prej dy ditësh ka mungesë të Fraksiparinës ose thënë ndryshe të holluesit të gjakut, që i nevojitet çdo pacienti, i cili ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët e spitalit thonë për “Gazeta Shqiptare” se ky është një medikament jetik dhe themelor për këta persona, pasi është i domosdoshëm për të parandaluar trombozat.

“Kemi dy ditë që jemi të detyruar t’u themi familjarëve të pacientëve ta blejnë vetë në farmaci këtë ampulë. Ai është një injeksion i domosdoshëm që i bëhet çdo pacienti të operuar, injektohet nën lëkurë e nevojitet për një kohëzgjatje 2-3 javë pas operacionit. Fraksiparina hyn te medikamentet themelore dhe jetike, ndërkohë që në spital nuk kemi asnjë derivat tjetër që mund ta zëvendësojë”, shprehen mjekët e këtij spitali.

Nga ana tjetër, ata shtojnë se një ampulë në tregun farmaceutik varion nga 400-700 lekë. “Çdo pacienti, pas ndërhyrjes kirurgjikale i duhet një ampulë në ditë, ndërsa sa i takon çmimet, më i liri kushton 400 lekë, ndërsa më i shtrenjti 700 lekë”, sqarojnë mjekët. Gjithashtu, ata shprehen të shqetësuar, sepse me ndryshimin e strukturës së spitalit, nuk kanë informacion se ku duhet të drejtohen për ta kërkuar medikamentin: pranë Ministrisë së Shëndetësisë apo pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo pasi, përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave, që mban datën 2 dhjetor 2015, Spitali Ushtarak i Forcave të Armatosura u transformua në Njësinë e Mjekësisë Ushtarake (NJMU), pranë Spitalit Universitar të Traumës (SUT), të cilët u integruan në një strukturë të bashkuar spitalore me emërtimin “Spitali Universitar i Traumës”.

Reagimi i MSH
Ndërkaq, të kontaktuar nga “GSH”, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se mungesa ka ardhur si pasojë e vonesës së dorëzimit të këtij medikamenti në kohë. “Tashmë janë kryer procedurat e prokurimit, ndërkohë që shkak për situatën te Spitali i Traumës është bërë vonesa e dorëzimit pas prokurimit.

Besojmë se brenda pak ditësh do të bëhet furnizimi i domosdoshëm”, u shprehën përfaqësues të MSH-së. Ndërkohë që, në lidhje me ndryshimin e strukturës së këtij spitali, ministria sqaron se kjo nuk ka lidhje me mungesën e krijuar dhe se furnizimi me ilaçe i këtij spitali do të vijojë të kryhet ashtu sikurse në të kaluarën. Kjo pavarësisht faktit se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2016 nuk ka nënshkruar një kontratë me Spitalin Universitar të Traumës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb