Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka caktuar në një detyrë tjetër drejtorin e një burgu federal të Nju Jorkut si dhe ka urdhëruar pezullimin e dy rojeve pas vetëvrasjes së dyshuar të financierit Jeffrey Epstein.

Gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçari Epstein po përballej me një proces gjyqësor nën akuza federale për trafikimin për qëllime seksuale të vajzave adoleshente, disa prej tyre 14 vjeç. Ai u gjet i vdekur në qelinë e tij të shtunën e kaluar dhe dyshohet se kishte varur veten me një çarçaf.

Muajin e kaluar për arsye ende të paqarta, Jeffrey Epstein ishte hequr nga “vëzhgimi për vetëvrasje”, një procedurë që zbatohet në rastet kur i burgosuri konsiderohet me rrezik për kryerjen e një akti të tillë. Pavarësisht kësaj rojet e burgut duhet ta kontrollonin atë çdo 30 minuta. Por sipas njoftimeve që i referohen një hetimi paraprak, procedurat nuk ishin zbatuar dhe Jeffrey Epstein ishte kontrolluar vetëm pas disa orësh.

Mendohet se Jeffrey Epstein dispononte një listë të gjatë të hartuar ndër vite, me miq të tij të pasur e të fuqishëm, duke përfshirë Presidentin Donald Trump, ish-Presidentin Bill Klinton dhe Princin e Britanisë Andrew, por ndaj asnjërit prej të tyre nuk janë ngritur akuza kriminale.

Prokurorët federalë dhe të FBI-së thonë se hetimi do të vazhdojë edhe pse Jeffrey Epstein ka vdekur. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb