FSHF-ja ka menduar të ndryshojë strukturën e kampionateve të moshave për sezonin e ri, duke përzgjedhur ato klube që sipas tyre plotësojnë kriteret, ndërsa kanë lënë jashtë shumë klube dhe akademi të tjera që me meritë sportive u takojnë që të marrin pjesë.

Më e rënda është që ky ndryshim vjen rreth një muaj përpara nisjes, ndërkohë që kur pyeten për formulat e kategorive të tjera, të përplasin në fytyrë faktin që çdo gjë duhet miratuar të paktën një sezon përpara, ndërsa tani marrin vendime që zbulohen nga një komunikatë e kreut të FSHF-së, Armand Duka, gjatë një mesazhi ku uroi për nisjen e sezonit futbollistik të gjithë komunitetin e këtij sporti.

Edhe një herë ka mungesë transparence, asnjë njoftim zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit, asnjë sqarim për publikun, asnjë sqarim për vetë protagonistët dhe vendoset sikur të ishte një pronë private dhe jo sikur bëhet fjalë për futbollin kombëtar të Shqipërisë.

Klubet thjesht janë njoftuar, pa ditur se cilat janë kriteret.

Kjo ha shumë debat dhe për më tepër është në shkelje të të gjitha rregulloreve, sepse ekipet kanë mbaruar një kampionat të rregullt.

NDRYSHIMI I SKEMËS – Sezonin e kaluar skemat e kampionatit të Superiores për moshat U-19 dhe U-17 kanë qenë të ndara në dy grupe, A dhe B, secili grup me 10 ekipe pjesëmarrëse.

Gjithashtu edhe Kategoria e Parë U-19 dhe U-17 ishte e ndarë në dy grupe me nga 12 skuadra.

Kampionati përfundoi me një garë të rregullt po për sezonin e ri FSHF-ja, duke hedhur poshtë meritat sportive ka menduar të ndryshojë skemën, e cila është njësoj me futbollin e të rriturve.

Superiorja U-19 dhe U-17 me 10 ekipe, të cilat i ka përzgjedhur FSHF-ja dhe Kategoria e Parë një grup me 14 ekipe.

Kështu që në Superiore për moshën U-17 dhe U-19, institucioni i futbollit ka vendosur që për sezonin e ri të marrin pjesë këto ekipe: Tirana, Partizani, Dinamo, Internacional, Akademia e Futbollit, Skënderbeu, Vllaznia, Laçi, Teuta dhe Apolonia.

PËRJASHTIMI – Kështu që disa klube dhe akademi që sezonin e kaluar kanë marrë pjesë në Superiore për grupmoshën U-19 dhe U-17, këtë vit janë përjashtuar.

Klube si: Flamurtari, Lushnja, Elbasani, Pogradeci, Bylisi apo Shënkolli dhe klube që janë ngjitur nga Kategoria e Parë si Kukësi dhe Erzeni për U19.

Po ashtu jashtë janë lënë edhe disa akademi si Shkëndija e Tiranës, “Football Republic”, KF Shkodra apo Brians.

MOSHAT SKEMA (1)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: