Nga foltorja e Kuvendit, kryeministrin Edi Rama foli sërish për skandalin te spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi”, ku sanitarja Tire Alldërvishi hiqej si infermiere, duke iu zhvatur qytetarëve miliona lekë, për t’iu shpëtuar të afërmit e tyre me koronavirus, por që në të vërtetë nuk iu jepte as ushqim.

Duke e cilësuar këtë harbutëri dhe babëzi, kryeministri Rama iu bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi, ndërsa theksoi se nuk do të ketë aspak tolerancë për njerëz të tillë.

“Ne jemi përgatitur më së miri për të pasur gatishmërinë që cilido qoftë numri i dozave në dispozicion, ne të mos mbetemi me një ritëm të ulët, për shkak të mbingarkesës së nevojës, as të mos mbetemi në ritëm të ulët, për shkak të mos pasjes në dispozicion një numër shumë më të madh dozash. Në këtë proces, mund ta themi me plot gojë se sistemi ynë shëndetësor ka dëshmuar qëndrueshmëri, largpamësi. E mira nuk ka fund, ka patjetër probleme për të zgjidhur në kohë reale, ka patjetër cështje për të adresuar, ka patjetër momente të trishtueshme, sic ishte momenti i shfaqjes së një harbutërie dhe babëzie të pashembullt nga një personazh që ishte vërtet i neveritshëm në Spitalin Shefqet Ndroqi, por nga ana tjetër, aq sa i trishtueshëm, aq edhe pozitive ishte që një qytetare denoncoi, që një media investigative e mbështeti qytetaren dhe i shkoi deri në fund, që ajo është pas hekurave dhe që mesazhi u dha qartë.

Ne jemi në gatishmëri të plotë për të bërë atë që na takon dhe për të reaguar ashtu si duhet ndaj cdo shfaqjeje negative, sidomos në sistemin tonë shëndetësor. Qytetarët të mos heshtin, të mos struken, të mos tërhiqen, dhe të denoncojnë cdo rast të cfarëdo niveli abuzimi. Mbase raste të një shëmtime të tillë mund të mos jenë të përditshme, por në të përditshmen edhe një vonesë e shkaktuar për pak lekë, është abuzim. Është e patolerueshme që një numër, që është një pakicë e pakicës, në sistemin tonë shëndetësor, të njëllosë e përdhosë bluzat e bardha, sakrificat e atyre që edhe jetën e humbën në këtë luftë për të shpëtuar jetë. Është e patolerueshme që kushdo që bie pre e këtyre abuzimeve të heshtë”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb