Departamenti në universitetin publik të Gjirokastrës u bën jehonë miteve dhe ushtarëve grekë të rënë në vendin tonë. Bëhet fjalë për një dokumentar të realizuar në tetor nga Departamenti i Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin e Gjirokastrës, me titull: “Heronjtë luftojnë… si grekë”.

I gjithë materiali është në gjuhën greke dhe “hedh dritë” mbi mitologjinë, vendet antike në Shqipëri që kanë përcaktime sipas tij, me burim gjuhën helene e deri te marrëveshjet mes dy qeverive, shqiptare dhe asaj greke, për varrezat e ushtarëve grekë. Përderisa materiali është punuar në gjuhën greke dhe është hedhur për t’u ndjekur nga kanale të shtetit fqinj në youtube, nuk do të kishte ndonjë habi të madhe nëse për autor do të ishte ndonjë individ apo grup ekstremist.

Por në këtë mes mund të bëhet fjalë për një skandal, për shkak se i gjithë dokumentari, ashtu siç përmendet edhe në pjesën përshkruese të videos, është i përgatitur nga një prej departamenteve të Universitetit Shtetëror të Gjirokastrës. Ndërsa për xhirimin e tij janë shfrytëzuar mjetet e TVSH­-së, dega Gjirokastër, shkruan Panorama.

VORIO­EPIR DERI NË SHKUMBIN
Teksti dhe skenari është nga Panajot Barka, shefi i departamentit, personi i cili lexon në greqisht të gjithë dokumentarin. Në gjatësinë kohore të tij prej 33 minutash e 22 sekondash, i bëhet jehonë e madhe luftës italo­-greke, duke ngritur gati në piedestal Greqinë me rastin e 75-­vjetorit të JO-­së greke ndaj Italisë. Sipas autorit Barka, Italia e shikonte Epirin e Veriut (Gjirokastër, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet, Sarandë, Delvinë, Ersekë, Korçë madje deri në Shkumbin), si zonë të përshtatshme për rimëkëmbje ekonomike dhe për arritjen e qëllimeve të saj ushtarake, prandaj kërkonte të gjente një shkak për luftë.

Kështu, sipas tij, Italia fajësoi Greqinë për vrasjen e ushtarakut Telini në Kakavijë në vitin 1923. Këtë e përdori si shkak për të nisur konfliktin e armatosur me Greqinë. Më tej, dokumentari vazhdon me histori rreth zhvillimeve të luftës mes Greqisë dhe Italisë. Në të tregon edhe përfshirjen e Shqipërisë në luftë kundër Italisë, nisur nga fakti që në atë periudhë Shqipëria ishte protektorat i Italisë dhe me vendim të Parlamentit të atëhershëm sipas Barkës, u tha që është në luftë me Shqipërinë, çdo shtet me të cilin lufton edhe Italia.

Pra, autori Barka shprehet se ligjin e luftës me Greqinë, e vendosën shqiptarët. Me tej, nënvlerësohet popullsia çame myslimane në Greqi, si bashkëpunëtore me forcat fashiste italiane. Sipas dokumentarit, Duçe e ka përdorur Shqipërinë dhe ka ushqyer gjithnjë idenë e Shqipërisë së Madhe. Përkundër luftës, ushtria greke ka gjetur gjithnjë bujarinë dhe mikpritjen e shqiptarëve në Vorio-Epir, vijon më tej dokumentari. Pjesa më e rëndë vijon kur thuhet se më 5 dhjetor 1940, ushtria greke u prit si çlirimtare në Këlcyrë e Përmet. Ndërsa më 6 dhjetor grekët çlirojnë Delvinën, ku kryetari i Bashkisë së Delvinës në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, i dorëzoi çelësat komandantit grek Raftopulo. Në po atë ditë, në dokumentar thuhet se u çlirua edhe Saranda, Mesopotami, Derviciani, Lazarati dhe Gjirokastra. Ndërsa Himara, si gjithnjë, e përballon luftën me fitimtarë greke, vijon më tej dokumentari. Më 22 dhjetor 1940, ushtria greke hyn në Korçë si fitimtare dhe 30­90 km territor shqiptar brenda kufijve të Shqipërisë, zotërohej prej ushtrisë greke. Fitorja greke ndaj Italisë fashiste, shënohet në historinë botërore, si fitorja e popujve të skllavëruar ndaj fashizmit, vijon më tej dokumentari.

VARREZAT GREKE
Ndërkohë, pjesa e fundit e dokumentarit flet për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri dhe nën kabanë me klarinetë të Laver Bariut, autori Barka tregon përpjekjet e para të qeverisë greke në vitin 1991 për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë. Sipas tij, në malet e Shqipërisë kanë rënë 11 mijë ushtarë greke, por sot shumica e tyre nuk kanë një varr, pasi eshtrat janë zhdukur dhe për këtë ai fajëson banorët shqiptarë të zonave ku kanë rënë këta ushtarë dhe njëkohësisht akuzon shtetin shqiptar.

Në dokumentar përmendet marrëveshja e vitit 2010 mes Shqipërisë dhe Greqisë për ngritjen e 3 varrezave greke në vendin tonë. Një në Këlcyrë, një në fshatin Bularat në Gjirokastër dhe tjetra në Korçë. Sipas dokumentarit, dhjetëra varreza të tjera me eshtrat e ushtarëve grekë janë zhdukur. Autori Barka shtron pyetjen: Ku janë heronjtë tanë? Dhe përgjigja jepet si më poshtë: 210 ushtarë grekë janë të varrosur në Përmet pranë një stadiumi, 510 janë në Delvinë, 800 janë në Korçë, 600 janë në Ersekë.

Sipas autorit Barka, marrëveshja për varrezat greke në Shqipëri nuk po zbatohet nga qeveria aktuale shqiptare dhe nga vetë shteti shqiptar. Varrezat e dikurshme të Ersekës, Korçës dhe Delvinës janë zhdukur, shprehet autori. Ndërkohë që ky i fundit glorifikon jashtë mase luftën italogreke, nuk ka thënë një fjalë për masakrat që ka ndërmarrë kjo ushtri në zonën e Panaritit në Korçë apo edhe ajo e Hormovës në Tepelenë. Përgjatë gjithë minutave të dokumentarit, autori Barka i cili është edhe kreu i Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin “Eqrem Cabej”të Gjirokastrës, gjatë gjithë kohës i referohet Epirit dhe Vorio­ Epirit si territor grek, madje duke thënë se Vorio Epiri vazhdon deri aty ku ka pemë ahu, duke nënkuptuar kështu deri në lumin Shkumbin. Ky dokumentar që qarkullon prej tetorit në youtube dhe nuk dihet nëse vetë departamenti ka investuar për prodhimin e tij apo ka financues të tjerë me qëllim për të deformuar historinë dhe glorifikuar rolin e ushtrisë greke, duke harruar masakrat që ajo ka kryer kur ka qenë aktive në territorin shqiptar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb