Depot farmaceutike në Shqipëri paguajnë miliona që mjekët të lëshojnë receta të mbushura me suplemente të shtrenjta ushqimore, që sipas ekspertëve, nuk kanë ndikimin në shëndetin e pacientëve.

Altini [emri i tij është ndryshuar], infermier në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, e mban mend shumë mirë takimin e tij të parë me drejtorin e depos farmaceutike ku bën aktualisht një punë të dytë. “Në takimin e parë që pata me drejtorin gjeneral të depos farmaceutike, folëm për kontaktet që unë kam në spital,” kujton ai.

“Duke qenë se kam dhjetë vite që punoj si infermier në reparte të ndryshme, ky fakti i pëlqeu, pasi sipas tij mjekët specialistë janë ata që përshkruajnë më tepër receta,” shtoi infermieri, që punon gjithashtu si agjent shitjesh.

Altini është pjesë e një rrjeti të gjerë agjentësh të punësuar nga depot farmaceutike, të cilët përdorin pagesat informale ndaj mjekëve dhe farmacistëve për të infleuncuar shitjen e suplementeve ushqimore – të cila janë shpesh më të shtrenjta se medikamentet dhe nuk kanë ndikim në shëndetin e pacientit.

“Prania e suplementeve në recetat mjekësore, ndonëse nuk është e rekomandueshme, është e pranishme në Shqipëri,” theksoi kryetarja e Urdhërit të Farmacistëve, Diana Toma.

“Është tjetër gjë kur vitaminat, mineralet, aminoacidet, proteinat, në doza terapeutike tërheqin vëmendjen e mjekut dhe shikohen si alternativë për të t’u përdorur për një diagnozë të caktuar, por në dozat që përgjithësisht përmbajnë shtesat ushqimore, e vlerësoj si abuzim praninë e tyre në recetat  mjekësore,” shtoi ajo.

Sipas Tomës, abuzimi me rekomandimin e suplementeve nga mjekët filloi në vitin 2014 dhe arriti pikun gjatë pandemisë së COVID-19, duke u kthyer në një linjat kryesore të të ardhurave për tregun farmaceutik.

Drejtuesi i Urdhrit të Mjekut nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë mbi marrëdhënien informale të mjekëve me kompanitë farmaceutike.

Fryrja e tregut të suplementeve