INSH. STAVRI VANGJELI
Një specialist me përvojë që ka shfrytëzuar, drejtuar ditën e natën, në ekstremet e motit të thatësirave e në raste të “çmendura” të motit, i sistemit energjetik e ka plotësisht të qartë rëndësinë e pazëvendësueshme të HEC-it Skavicë me kuotë 485, të paraqitur si pjesë përfundimtare e kaskadës së HEC-eve të Drinit qysh në vitin 1960. Prerë dhe pa as më të voglin emocion mund të deklarohet: Lugina e Drinit të Zi me atë konfiguracion gjeofizik, veçanërisht nga Kukësi në Dibër, është dhuratë e Zotit, e papërsëritshme në llojin e vet, me vlerën më të pakrahasueshme të aseteve natyrore të një vendi, shteti apo kombi.

Me këtë madhësi territori, popullsie dhe në gjendjen ku jemi sot ne të shek. 21 , prania e një HEC-i si Skavica-485 (lartësia e digës), me këtë basen ujëmbledhës natyror, prurje vjetore, lartësive të masiveve malore të shëndosha dhe me një habitat njerëzor të vogël për shumë shekuj në të, duket sikur lugina Kukës-Peshkopi thërret: “Ja ku jam Zonjë e Madhe, Zonjë e Rëndë, kam çdo gjë që duhet dhe që domosdoshmërish ju nevojitet tani. Mos më ulni, mos më zvogëloni, mos më zbrisni nga kali dhe mos më hipni as në gomar, por në breshkë. Jetën mos ma jepni, shtyheni nga padituria dhe ca kohë ndërtimi, por shpirtin, frymën e Zotit mos ma merrni, mos më vrisni! Nuk e shihni, edhe Zoti duket se e ka bërë këtë luginë për ta mbushur plot me ujë!”. Dhe unë “poeti” me një diplomë inxhinieri do të shtoja, do përgjigjesha: Gjerdani i rëndë mbretëror (i kaskadës) u krijua qysh në vitet ’70, tani ka ardhur koha të plotësohet me medaljonin vezullues, që e shpall Shqipërinë për herë të dytë të pavarur. Të vendoset diamanti 400 karat mbi gjoksin e kombit shqiptar. Thënia pa asnjë teprim, pa asnjë ekuivok, që HEC-i Skavicë-485 është me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, nuk është një çartje gazetari.

Ajo buron nga thelbi i vetë veprës hidroenergjetike, thënie e skalitur nga studiuesit tanë të parë për këtë HEC unik të llojit të vet. Shpesh opinioni mbarë pyet: Pse Skavica ka këtë vlerë? Mos po hiperbolizohet? Edhe ai një digë dheu me ujë ka, si gjithë të tjerat! More inxhinierë, mos jeni paksa të ngrefosur, të painformuar siç duhet, pak si flluskë e madhe balloni? Po, keni të drejtë, po harrohet një gjë, që është shumë-shumë e vockël, e padukshme. Edhe diamanti më i bukur në botë, në përbërje të tij, njëlloj është me të zezën, me qymyrin. Vijmë te Skavica-485. Në vitin 2008 është hedhur poshtë, është shkelur me këmbë brutalisht Perëndesha jonë dhe i janë paguar shuma të mëdha firmës franceze për variante të tjera. Bërthama specialistësh të mirëfilltë në këto fusha u nxorën në pension apo u degdisën në Kanada dhe Sistemi Energjetik sa vinte e po degradonte deri sa më 2013 po shkonte drejt greminës së padiskutueshme për shkak te CEZ-it. Me gjithë shpartallimin intelektual hidro-elektroenergjetik aq mirë të thelluar në dije, përsëri një nukleotid, disa protone njerëzore ndjekin orë e çast “shëndetin” e lumit Drin.

Ndër ta dhe djali i Radovickës së madh, Iliri që demokracia aq e shumëpritur e ktheu në një inxhinier të rëndomtë, si një shkrues copa letrash, që u kthye në një vegjetar për të ardhur keq dhe tash së fundi mosha do e flakë tej. Vetëm një orë ekspozim të Skavicës- 485 dhe ato të “varianteve” franceze nga ana e specialistëve të OST, të Qendrës Kombëtare të Sistemit Elektroenergjetik edhe kryeministri më i pashkolluar i Afrikës do e kuptonte se çfarë përfaqëson Hec-i Skavicës-485. Fierza, Komani, V.Dejës, Ashta 1 dhe 2 janë delet e kopesë. Bariu nuk mund të jetë i tillë, ai është njeri. Dhe Skavica-485 është bariu i tyre, që i drejton gjatë gjithë vitit në punën e tyre, i mbarështon që ata të japin shumë e shumë miliona euro më tepër. Dhe kjo për të njëjtin ujë që rrjedh. Më kryesorja është se bariu ruan kopenë, por a e dini se çdo të thotë që një masiv, një digë dheu të ruajë nga e keqja viganë si Fierza e Komani. Po more po. Skavica- 485 vigjëlon dhe nuk fle gjumë, duke e lënë kaskadën të punojë e qetë edhe në ekstremet e motit edhe me optimume rendimenti gjatë gjithë vitit. Varianti i Skavicës-441 dhe Katundi i Ri apo “variante të tjera” nuk shuan urinë e vendit me shtatëqind milionë kilovatorët që do të prodhojë. Këto dy dele që i shtohen kopesë nuk luajnë aspak rolin e bariut. Përsëri çdo 5-7 vjet, në pellgun ujëmbajtës të Shkodrës do na shfaqen nesër varkat dhe çizmet e gjuetarëve. Me Skavicë-485 nuk është se nuk do të kemi asnjë përmbytje të Shkodrës, siç thonë tregtarët e letrave dhe këta nuk duhet të mbajnë kësi letrash të inxhinierëve, sepse një përmbytje, në rreth çdo 30 vjet, do ta kemi nga lumi Kiri e Moraça të liqenit të Shkodrës, ndoshta në nivel më të ulët. Për mbyllje të këtij artikulli po përmend një nga vlerat më të mëdha, në thellim të arsyetimit inxhinierik. Fare shkurt.

Imagjinoni, që në vitet me reshje të vonuara, si ai i vjetshmi (2015), që këto 30 vjetët e fundit po përsëriten shpesh, shiu të mos kishte ardhur në fillim të janarit, por të ishte vonuar edhe 1 muaj. Por mund të ndodhë që të vonohet edhe një muaj tjetër. Në të dyja rastet do të ndodhë kolapsi i plotë elektroenergjetik i vendit. Hec-et e kaskadës ndalojnë, Shqipëria mund të ndezë vetëm 1000 poça ndriçimi nga energjia që do të vijë nga lumi Mat. Skavica-485 përjashton përfundimisht, përgjithmonë këtë mundësi në jetë të jetëve. Siç përmendëm në krye, Zoti na ka falur këtë luginë 100 km të gjatë, që të bëhet Skavica- 485, të bëhet bariu udhëheqës i jetës sonë. Ky do të jetë dhe një nga faktorët kyç që kombi shqiptar do të mbijetojë pafundësish. Argumente të tjera që Skavica-485 ka rëndësi të jashtëzakonshme strategjike do t’i paraqesim së afërmi në artikuj të tjerë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: