TIRANE-Është zhvilluar seanca dëgjimore për Anëtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i cili po përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) si pjesë e vettingut. Seanca dëgjimore drejtohet nga Olsi Komici, Brunilda Bekteshi dhe Lulzim Hamitaj, ndërsa vetë gjyqtari është i pranishëm në seancë së bashku me avokatin e tij Theodhori Sollaku. Kryesuesi Olsi Komici tha se për Thanzen është kryer hetim për të trija kriteret, pasurinë, aftesitë profesionale dhe pastertinë e figurës.

Trupa e KPK ka lexuar raportin e ILDKP ku thuhet se Thanza ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk ka burime financiare të mjaftueshme për të justifikuar pasurinë e tij. Duke iu referuar raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), trupa gjyqësore e KPK thotë se sipas kësaj drejtorie Thanza ka kontakte me personazhe të krimit, por konkluzionet janë të pabazuara në fakte. Gjithashtu gjyqtari ka gënjyer edhe në formularin e dekriminalizimit, pasi rezulton i dënuar në Itali për vjedhje në vitin 1999.

Thanza KPK (7)

“Gjyqtari ka një apartament banimi me sipërfaqe 136 m2 në Shkodër. Për këtë apartament ka një anomali. Vlera e apartamentit e deklaruar nga Thanza nuk përputhet me çmimin e kontratës së shit-blerjes që është 1.2 milionë lekë, ndërsa gjyqtari e ka deklaruar sikur është blerë 3 milionë lekë. Në deklarimin e vitit 2004 mungon deklarimi i një garazhi, që e ka deklaruar në deklaratën e Vettingut. Gjyqtari Thanza nuk ka justifikuar burimet për blerjen e këtij apartamenti. Thanza ka dhe një apartament me sipërfaqe 113 m2 te Komuna e Parisit, në Tiranë. Gjyqtari ka deklaruar apartamentin si pasuri të gruas së tij, por edhe këtu ka mospërputhje. Apartamenti është blerë në 2003 për 1.9 milionë lekë, ndërsa gjyqtari e ka deklaruar sikur është blerë 4 milionë lekë. Sipas DSIK Thanza ka kontakte me personazhe të krimit, por konkluzionet e DSIK janë të pabazuara në fakte. Ndaj tij janë paraqitur 13 denoncime nga publiku, por edhe ato janë të pabazuara në fakte. Thanza ka probleme dhe me shtyllën e aftësive profesionale. Gjyqtari Thanza ka gënjyer edhe në formularin e dekriminalizimit. Nga një informacion jashtë vendit, Thanza ka qenë i dënuar në Itali në vitin 1999 për vjedhje me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta”- thuhet në raportin e lexuar nga trupa e KPK.

Thanza KPK (6)

Thanza e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1992, pas diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë. Ai ka punuar në Gjykatën e Shkodrës në vitet 1992-2006, në atë të Tiranës në vitet 2006-2009 si dhe ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitet 2009-2013. Thanza ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Krahas ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, Thanza ka punuar edhe si pedagog i jashtëm në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër si dhe pedagog i të Drejtës Civile dhe të Drejtës Kushtetuese në Universitetin Europian të Tiranës dhe atë “Justiniani i Parë”. Prej vitit 2013, Thanza ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë.

Thanza KPK (5)

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Admir Thanza nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.[Kliko për skedën në PDF] 

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Admir Thanza zotëronte një pasuri familjare me vlerë rreth 13.4 milionë lekë në vitin 2003-kur deklaroi për herë të parë pasurinë. Në fund të vitit 2017, vlera e pasurisë së deklaruar nga Thanza është rritur me tre herë, duke kapur vlerën e 50.5 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore me një vlerë të llogaritur në 27.5 milionë lekë, ndërkohë që llogaritë bankare të familjes Thanza kapin vlerën e 14.8 milionë lekëve. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zotëron gjithashtu 3.9 milionë lekë kursime në cash dhe automjete në vlerën e 2.3 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare të gjyqtarit Thanza kapin vlerën e 81.3 milionë lekëve për periudhën deklaruese, ku pjesën kryesore të tyre e zënë fitimet si notere të bashkëshortes së tij. Paga dhe shpërblimet nga funksioni të zotit Thanza zënë 28.5 për qind të të ardhurave totale të familjes, ndërkohë që 12 për qind e tyre ka si burim shitjen e pasurive të paluajtshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit të Z.Thanza, të cilat rezultojnë pa probleme sa i përket raportit mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Analiza ka identifikuar megjithatë disa “flamuj të kuq” në deklarimet periodike të gjyqtarit Thanza, njëra prej të cilave lidhet me detyrimet që ai u ka shoqërive të ndërtimit. Këto detyrime kapin vlerën e 2.6 milionë lekëve, ndërkohë që familja e gjyqtarit rezulton se ka akumuluar kursime në cash në vlerën e 3.9 milionë lekëve deri në fund të vitit 2017.

Gjithashtu, në deklaratën e vitit 2008 gjyqtari Thanza deklaron një pagesë shtesë ndaj një shoqërie ndërtuese për një apartament me sipërfaqe 69.9 m2, ndonëse apartamenti në fjalë nuk rezulton i deklaruar në vitet e mëparshme.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar nga BIRN lidhet me deklarimin e të ardhurave nga aktiviteti i bashkëshortes si notere. Në vitet 2008-2013, gjyqtari Thanza ka deklaruar xhiron vjetore dhe disa shpenzime të pjesshme nga ky aktivitet, ndërkohë që duhej deklaruar fitimi neto.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë për vitin 2003

Deklarata e pasurisë për vitin 2004  

Deklarata e pasurisë për vitin 2005

Deklarata e pasurisë për vitin 2006  

Deklarata e pasurisë për vitin 2007

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010  

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012  

Deklarata e pasurisë për vitin 2013  

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015  

Deklarata e pasurisë për vitin 2016  

Deklarata e pasurisë për vitin 2017  

BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb