I ftuar në emisionin “Alert”, në News24, nga Granit Sokolaj, eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli, ka folur për skemën e naftës pa taksa, sa u përfshinë fermerët dhe ku çaloi procesi. Resula tha se nuk është një skemë gjithëpërfshirëse dhe më shumë u përmbush një premtim elektoral sesa mori zgjidhje fermeri.

“Që në nisje të skemës kisha dyshime, duke u nisur nga eksperiencat dhe kushtet që kishte vendosur Ministria. Në gjykimin tim, skema nuk është e suksesshme sot perderisa kemi 61 mijë fermerë të regjistruar me NIPT dhe kanë përfituar vetëm 20 mijë. Kemi akoma afat ose kohë se sa do dismburësohen ata sepse mund të hasin dhe probleme gjatë verifikimeve në terren. 20 mijë është numri i aplikimeve. Në themel skema për bujqësinë nuk është thjesht disa para disa fermerëve, por duhet të bëhet skemë gjithëpërfshirëse. Kjo skemë çon në skepticizëm. Mos të harrojmë se certifikimi i tokës bujqësore është problem që të penalizon në këtë skemë. Dhamë disa litra naftë dhamë disa para, por çfarë formalizuam me këtë? Po t’i futemi analizave, është një skemë që nuk ka kontribuar. Përmendim faktin se nga 46 mijë kemi shkuar në 61 mijë, fasha mbi 15 mijë fermerë të regjistruar nga janari deri në prill mund të quhet formalizim. Numri që kanë shtuar NIPT dhe i përfituesve është i përafërt, që do të thotë se baza e fermerëve që kanë qenë para skemës nuk duken të përfshirë në skemë. Me këtë u përmbush një premtim elektoral, sesa mori zgjidhje fermeri. Duhej një skemë më e konsoliduar dhe më e diskutuar dhe e hedhur në grupe interesi për të prodhuar atë skemë që do funksiononte vërtetë. Pritshmëritë kanë qenë 70 mijë fermerë, ne nuk kemi kapur fermerët me NIPT akoma. Skema dërgoi fermerët drejt zyrave noteriale, të prodhonte disa kontrata pa vlerë. Jo gjithë fermerët tanë kan traktora dhe janë të detyruar ta presin traktoristin të marrin naftë dhe të vijë për të punuar tokën. Kushdo që ka patur certifikatë toke ka aplikuar”-tha Resuli.

Eksperti i bujqësisë u ndal edhe tek trajtimi i dosjeve, që sipas tij janë bllokuar pasi agjencia e ndarjes së pagesave e zhvillimit bujqësor është nën hetim nga OLAF.
“Kam informacione që nuk po trajtohen dosjet. Kam qenë në takim me fermerët që kanë aplikuar dhe nuk po thirren. Ka ngërç në shqyrtimin e dosjeve. IPARD-in e kam përshëndetur, por është e vështirë të përthithet nga masa e fermerëve. Më shumë mbështeten bizneset e mëdha, të cilat nuk kanë lëndë të parë për të përpunuar. Ne po rrisim kapacitetet agropërpunuese, por fermerin e kemi lënë vetëm me 6.5 milionë euro apo me 10 milionë dollarë të skemës së naftës. Skemat kombëtare në rajon, në Malin e Zi ka edhe IPARD edhe mbështetje drejtpërsëdrejti që shkon në 50 milionë euro, vitin që kaloi. Përsa i përket përthitshmërisë, Mali i Zi e ka më të lartën që shkon në 65% te aplikantëve. Skema kombëtare është një lloj lëmoshe për fermerin shqiptar”-deklaroi Ervin Resuli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb