Burg pa afat ka vendosur Gjykata e Shkallës së Pare Durrës për dy nga pesë shtetasit e akuzuar për veprën penale “Krijimi i Skemave Mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”.

Për të arrestuarit Regan Merdani dhe Ali Agolli gjykata vendosi arrest me burg, për Roland Avdo dhe Ben Caka gjykata dha arrest shtëpie, ndërsa detyrim paraqitje u dha për Enis Xhaferin.

Ata akuzohen nga prokuroria që në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë krijuar shoqëri fiktive me qëllim mos pagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohe që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera, të pa deklaruara në organet tatimore, produkte të cilat janë blerë pa dokumente tatimore, si dhe punimet janë kryer nga punonjës të pa regjistruar dhe pa deklaruar në organin tatimor.

Nga aktiviteti kriminal i skemave mashtruese me TVSH-në, të akuzuarit nëpërmjet subjekteve fiktive, kanë mundur të përfitojnë nga mos pagimi i detyrimeve tatimore shuma të mëdha duke shkaktuar një dëm ekonomik e cila përllogaritet në vlerën rreth 6 milionë euro.

Në kuadër të hetimeve është bërë sekuestrimi i aseteve pasurore me vlerë 2 milionë euro.
Bëhet fjalë për sekuestrimin e shoqërisë se quajtur “Alfa Nikel”, në vlerën 1,200,000 Euro, një hidrocentral me një sipërfaqe 700 m² truall, ne Dhërmi, Vlorë si dhe një apartament me sipërfaqe 215 m².

Ndërkohë nga ana e grupit hetimor vijon puna për arrestimin e dy shtetasve të tjerë te shpallur në kërkim si dhe identifikimin dhe bllokimin e të tjerë aseteve pasurore të personave të implikuar në këtë skenë mashtrimi. Zbuli i skemës së mashtrimit erdhi pas një hetimi disa mujor të kryer në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb