TIRANË- Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “TVSH” duke vënë në pranga 4 persona që kishin krijuar një skemë mashtrimi dhe akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 350 milionë lekësh të reja.

Sipas të dhënave zyrtare, operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Hetimin Tatimor.

Të arrestuarit janë:
– Gëzim Çela, 59 vjeç banues në Tiranë
– Flamur Zoto, 67 vjeç, banues në Tiranë
– Xhemal Kushova, 58 vjeç, banues në Tiranë
– Ylber Molla, 58 vjeç banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Mashtrim”

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin kishin krijuar një skemë mashtrimi duke krijuar gjashtë firma fiktive me nipte shëtitës, me seli në qytetin e Tiranës, me qëllim shmangien e pagesave të TVSH dhe tatimfitimin, duke i shkaktuar shtetit dëm në vlerë TVSH-je dhe tatimfitimi në vlerën e 350 milionë lekë të reja.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas të tjerë për të cilët për shkak të hetimit nuk bëhen me dije të dhëna të tjera.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale të “Fshehje të ardhurash”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Falsifikimi i vulave stampave dhe formularëve”, parashikuar nga nenet 180, 181, 144/a dhe 190 të Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb