Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij nga kampi i Jalës, theksoi edhe një herë se prioritet i kësaj partie është rinia.

Meta bëri thirrje që të rinjtë të mos largohen nga vendi, por të bëhen bashkë dhe të rrëzojnë qeverinë.

“Të them të drejtën nuk kam plan të mbaj ndonjë fjalim. Së dyti është si mbrëmja e fundit për këto ditë kështu që dua t’ju falënderoj për këto momente të jashtëzakonshme që kam kaluar këtu në kamp me ju.

Tani e dimë se kush është beteje jonë. Është beteja për 200 vitet që vijnë, beteja është se nuk kemi atdhe për të humbur. Nuk kemi atdhe për të braktisur sepse jemi shqiptarë, të lidhur ngushtë me vendin tonë, me qytetin tonë, me fshatin tonë dhe familjen tonë. Ndaj duhet t’i japim fund kësaj drame që vjen për të gjitha arsyet që i kemi diskutuar këtu edhe për shpopullimin. Fundi i kësaj drame lidhet me mundësitë e që duhet t’i jepen rinisë këtu. Rinia është prioriteti i prioriteteve tona. Ju keni bërë edhe shumë diskutime të karakterit ekonomik dhe social dhe besoj se jemi shumë të qartë për mesazhin që do ta japim pas Jalës.

Të rinj dhe të reja të Shqipërisë mos zgjidhni rrugën më të gabuar për të braktisur vendin dhe familjet tuaj, por hajdeni të bashkohemi që të bëjmë punën më të lehtë për të shporrur këtë qeveri, që punon për një pakicë të pangopur dhe t’i japim Shqipërisë shkëlqimin që meriton. Dhe shkëlqimi që meriton është rinia në veprim, rinia në vendimmarrje, rinia në çdo hap dhe në çdo vendim të jetës sonë dhe aktivitetit tonë. Si prindër, si gjyshër dhe mbi të gjitha si patriotë që e duam këtë vend.

Nuk duam më të shohim të rinj të dëshpëruar që ikin dhe lënë qimet e kokës dhe atje ku shkojnë të hyjnë në aktivitete që shpesh u kushton edhe rininë e tyre. Duam rininë që rri këtu dhe që i gëzon familjet, që kanë investuar kaq shumë për ju dhe që i jep një tjetër dinamikë vendit dhe shoqërisë”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb