Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës, pasi dyshohet si autor për vendosjen e eksplozivit në banesën e një punonjësi Policie, si dhe në banesën e një qytetari.

I riu Dedë Nika dyshohet se është autor i dy shpërthimeve me tritol që tronditën Shkodrën në vitin 2020.
Shpërthimi i parë ndodhi në banesën e policit të Shkodrës Prelë Milani me detyrë komandant poste në Theth. Nga ky shpërthim nuk pati të lënduar, ndërsa polici Prelë Milani sapo kishte ikur për punë ndërsa në banesë ishte vetëm bashkëshortja dhe vajza e tij. Sasia e lëndës plasëse ishte vendosur në pjesën e pasme të banesës private të policit në zonën e Zooteknikës. Tritoli ka shpërthyer afër një barake ku nuk jeton askush dhe përdoret si magazinë nga familja.

Asokohe, Milani pohoi se ngjarja mund t’i kishte ardhur për shkak të detyrës si polici dhe komandant poste në Theth. Çështja e kultivimit të drogës në Dukagjin ka qenë problematike dhe efektivi Milani është përballur shpesh herë me asgjësim të lëndëve narkotike si pjesë e policisë. Policia Milani ka mohuar të ketë patur ndonjë presion, kërcënim apo konflikt të drejtpërdrejtë. Ndërkohë, Nika dyshohet dhe si autor i vendosjes së tritolit në banesën e shtetasit Kolë Bungaja, pak orë pas shpërthimit të parë. Ngjarja në fjalë ndodhi në fshatin Grudë e Re.

Familja Bungaja ndodhej në gjumë kur ka ndodhur shpërthimi, që u dëgjua deri në qytetin e Shkodrës. Nga ky shpërthim, ku lënda plasëse ishte vendosur në portën hyrëse, nuk pati të lënduar në njerëz ndërsa u shkaktuan vetëm dëme materiale. Edhe kjo familje pohoi se nuk kishte konflikte me askënd. Por pas gati 3 vitesh, u bë e mundur arrestimi i 33-vjeçarit si autor i dyshuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb