TIRANË

Analisti Mentor Nazarko ka komentuar vizitën e Presidentit të Turqisë në Tiranë Recep Tayyip Erdogan si dhe kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama për datën e kësaj vizite në ditën e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Nazarko tha në “Opinion” në Neës24 se data është e rastësishme dhe se nuk mund të vendosen vija lidhëse midis Turqisë së sotme dhe perandorisë otomane.

“Besoj se zgjedhja e datës është tërësisht e rastësishme. Papritmas shumë kritikë jo thjesht të kryeministrit Rama, por edhe ekskluzivistë fetarë apo ekskluzivistë -po themi në relacionet që duhet të ketë Shqipëria me shtete të caktuar- u zbuluan si përkujtues të fuqishëm të Skënderbeut. Madje shumë prej armiqve të Ramës në planin e brendshëm u zbuluan dhe ata si skënderbejanë. Berisha, presidenti Meta, apo dhe të tjerë. Dua të besoj me arsye, se vizita e djeshme ka pasur atë datë për shkak të ngjeshjes së axhendës së një kryetari shteti prej 80 milionë banorësh, i cili ka problemet e veta të të mëdha të brendshme, i cili ka pozitën strategjike kontrolluese të njerës nga rrugët më të rëndësishme të qarkullimit botëror, një shtet i fuqishëm ekonomikisht, me ushtrinë e dytë të NATO-s, një nga vendet më të mëdhenj në Evropë. Kështu që ti thuash mysafirit që dha ndihmën më të madhe se çdo shtet tjetër europian individualisht, se zgjodhe datën e ardhjes në ditëvdekjen e Skënderbeut, është absurd. Ndërkohë që unë nuk mendoj se duhet të vendoset vijë lidhëse mes Turqisë së sotme dhe perandorisë otomane. Perandoria otomane ishte një realitet shumë etnik, e cila shpeshherë në krye të saj ka vendosur sulltanër apo vezirë shqiptarë”, tha Nazarko.

Sipas tij, të pretendosh, të vendosësh vija lidhëse midis një pushtimi 500-vjeçar të Shqipërisë me Turqinë e sotme, do të thotë të bësh lojën e atyre që doktrinarisht apo si plan veprimi janë neootomanë .

“Që një shtet i madh si Turqia, me pakica të brendshme, por edhe me diasporë të madhe t’i referohet një të shkuare historike imperiale, ku ka pasur peshën e vetë të madhe është tërësisht legjitime, në kërkim të tregjeve të reja, në emër të rritjes së ndikimit gjeopolitik apo në emër të rritjes së ndikimit kulturor. Imagjinoni, ne shqiptarët, kombi shqiptar në përmasa shumë më të vogla në rrafsh europian, me gjithë diasporën, po flasim për botë shqiptare, po flasim për shqiptarizëm: pra është tërësisht normale që dhe Turqia t’i referohet një të kaluare të lavdishme. Ne flasim për pellazgjizëm apo ilirizëm. Unë nuk shoh asnjë shqetësim sa kohë që kjo nuk shndërrohet në një doktrinë që imponon apo ndryshon boshtet kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë, ankorimin në vlerat europianoperëndimore. Unë nuk kam parë që për shkak të kësaj miqësie, e cila është dhe ndërshtetërore, edhe midis popujve dhe kombeve, edhe ndërpersonale të kemi pasur ndonjë ndryshim të aksit kryesor të politikës sonë të jashtme”: imagjinoni, kemi votuar dhe pro lëvizjeve kurde në Siri dhe Irak, në kuadër të NATO-s apo OKB-së, tha analisti.

Ai theksoi më tej se ‘ndjeshmëria që rishfaqet për Skënderbeun, jo vetëm në këtë rast është diçka e shëndetshme, që e pasuron tërësinë e ndjeshërive që ekzistojnë brenda shoqërisë dhe kombit tone, ndonëse ne e heshtim shkëlqimin e mesjetës sonë. Jam plotësisht dakord se pushtimi ottoman e ndërpreu atë shkëlqim, atë fillesë të kombit tonë që me Skënderbeun pati vetëm kulmin, por ndikoi dhe në Europë, në Venedik, në Greqinë mesjetare, në Raguzë, apo dhe Gjenova.’. Për Nazarkon afrimi i Ramës me Erdogan ka qenë një nga veprimet më të mençura të tij në politikën e jashtme, i cili e ka forcuar subjektivitetin tonë ndërkombëtar në politikën e jashtme.
“Gjithë vitin ne duhet të kujtohemi për rrënjët e kombit tonë. E vërteta është që prej Turqisë zyrtare ne nuk kemi pasur asnjë imponim i cili të na thotë -largoni Skënderbeun nga historia juaj, apo se Skënderbeu lëndon ndjeshmëritë tona. Nuk ka asnjë imponim të tillë, as në rishikimin e historisë që barazon otomanin me turkun. Nuk shoh asnjë moment në të cilin ekzistenca jonë kombëtare, ndjeshmëria jonë kombëtare të fyhen për shkak të vizitës së Erdogan. Ne jemi një vend i vogël, në të cilin ka ndikime të shteteve që nuk e shohin me sy të mirë këtë afrim të Shqipërisë me Turqinë dhe kjo reflektohet në individë, në intelektualë, në subjekte të shoqërisë apo kombit. Është tërësisht e kuptueshme. E dyta: që Rama ka treguar një lloj preference, një miqësi të veçantë me Erdogan është e qartë, mirpo ky fakt nuk na ka dobësuar, përkundrazi. Rama e ka vizituar Erdoganin që pa e marrë mandatin e kryeministrit, në gushtin e 2013. Mendoj që ky lloj afrimi i tij progresiv me Erdoganin, me kreun e shtetit të një shteti kaq të fuqishëm globalisht ka qenë një nga veprimet më të mençura të tij në politikën e jashtme, i cili e ka forcuar subjektivitetin tonë dhe të tijin personal, në rrafsh ndërkombëtar në politikën e jashtme, jo thjesht në planin rajonal, por edhe në planin global”, tha Nazarko.

Ai foli dhe për një lloj roli fjalëprurës a korrieri, -për ta relativizuar- të Ramës mes Perëndimit dhe Turqisë. “Jo në pak raste, shihet, kuptohet, filtrohet qartë, edhe nëpërmjet raportimeve të mediave se Rama ka shërbyer si një lloj fjalëprurësi a korrieri, në marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Turqisë. Si rast konkret, ai i dënimit, më pas lirimit, të një pastori amerikan nga gjykata turke. Besohet fuqishëm se Rama ka shërbyer si fjalëprurës i Presidentit Trump në lirimin e asaj figure protestante në kohën kur dihej se Presidenti Trump kishte vota masive në komunitetin protestant dhe dhe donte që ta lironte, si veprën e tij ndërmjetësuese. Po ashtu nga mediat është filtruar ky lloj raporti fjalëprurës jo thjesht korrieri, por edhe lehtësues i një lloj marrëdhënieje midis Turqisë dhe Greqisë në të ashtuquajturën çështje të rishikimit të hapësirave detare midis tyre. Kjo lloj miqësie personale s’është çudi, por është brenda vijës së marrëdhënieve të fuqishme midis Shqipërisë dhe Turqisë që kanë qenë dhe në periudhën e diktaturës komuniste, nuk ka pasur asnjë ndryshim, kur megjithatë Shqipëria komuniste ka votuar në favor të Qipros greke.. Rama duket që i ka forcuar marrëdhëniet në planin ndërpersonal. Ama ky lloj forcimi i miqësisë në planin ndërpersonal është përkthyer dhe në rritje të rolit të Turqisë në ekonominë tonë, në sistemin bankar, në sistemin energjetik, në ushtrinë tonë. Nuk është përkthyer në një zhvendosje të aksit tonë nga Perëndimi, apo në një përkeqësim të marrëdhënieve me fqinjët, për shembull me Greqinë”, deklaroi Nazarko.

Lidhur me akuzat që ekzistojnë brenda Turqisë për Erdogan dhe qeverisjen me dorë të hekurt, ai theksoi që niveli i demokracisë në Turqi është produkt jo thjesht i zhvillimeve të brendshme, por edhe i zhvillimeve ndërkombëtare. Është funksion i kohës, apo i koniunkturës globale.

“Ndonëse nga pikëpamja e ndjeshmërisë intelektuale demokratike të individëve me ndikim në botën tonë është tërësisht normal ky kriticizëm, duhet kujtuar se marrëdhëniet me jashtë nuk përcaktohen nga shkalla e demokracisë që kanë vendet me të cilat ne zhvillojmë politikë të jashtme.
Turqia është vend i cili ka shumë shtete armiqësore, ka forca të brendshme, centrifugale, pakica, kombësi të cilat duan që ta shohin të shkatërruar Turqinë e sotme, apo që ajo të jetë peng i luftërave civile. Është një shtet afër konflikteve më të rëndësishme të fundshekullit të 20-të apo fillim shekullit të 21-të, kështu që centralizimi është nevojë e brendshme e atij vendi, por është dhe nevojë e perëndimit në fund të fundit që nuk do valë refugjatësh në territorin e vet. Kështu që shkalla e lartë e autoritarizmit, apo shkalla në rritje e autoritarizmit turk nuk është çështje e brendshme e politikës shqiptare.
Turqia nuk është një shtet armik i Shqipërisë, nuk është një shtet që i ka imponuar Shqipërisë as dhe dhe në një aspekt, siç është ai fetar”, tha Nazarko.

Sipas tij, Shqipëria, jo thjesht në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe, por edhe në bazë të konventave ndërkombëtare është e detyruar që të bashkëpunojë me Turqinë, për ekstradimet, apo njohjet e vendimeve reciproke të gjykatave. Prapëseprapë Shqipëria i ka treguar Turqisë në këtë aspekt se për shkak të ankorimit të saj në familjen europiano perëndimore nuk mund të pranojë automatikisht çdo vendim të gjykatës turke. Kemi pasur 1 ose 2 raste të ekstradimit të të kërkuarve nga Turqia, ndonëse dua të supozoj se lista e të kërkuarve është shumë e madhe. Ne kemi dorëzuar një ose dy individë, por siç e thashë ka Konventë të OKB-së për ekstradimet dhe prapë ne kemi pranuar rekomandimin e Këshillit të Europës që të mos jemi automatikë në këtë veprim. “Edhe për mbylljen e bizneseve të përfolura, emrat e të cilave vetëm mund t’i pandehim- Shqipëria ka treguar pavarësi dhe ky është tregues i qartë për të cilin duhet vlerësuar Turqia, sepse çdo shtet tjetër me këtë fuqi kaq të madhe do i ishte imponuar Shqipërisë. Edhe në rastin e kreut të KMSH-së, Shqipëria e ka respektuar pavarësinë e vet dhe kjo nuk ka sjellë as kushtëzime as shantazhime të Turqisë ndaj Shqipërisë, as përmendje në publik të ndonjë akuze, por përkundrazi kemi parë forcim të marrëdhënieve ndërpersonale dhe ndërshtetërore”, tha ai.

Nazarko, nga ana tjetër solli si shembull të kundërt, shtetin fqinj Greqinë dhe ndërhyrjen e saj në kishën autoqefale ortodokse shqiptare.
“T’ju përkujtoj rastin e Greqisë. Greqia e ka shndërruar çështjen e kreut të komunitetit ortodoks shqiptar, marrëdhënieve të kishës sonë autoqefale me shtetin, në çështje të marrëdhënieve dypalëshe, dhe e ka bërë këtë historikisht. Në vitin 1930, sa për t’ju dhënë një shembull, Shqipëria ka pasur problemin e pronave të shtetasve të saj në territorin grek, që Greqia nuk ia kompensonte drejtësisht. Asokohe Greqia i tha, na lejoni të emërojmë një grek si kreun e komunitetit ortodoks dhe ne do ua kompensojmë pronat e bejlerëve shqiptarë me vlerën e tregut. Mbreti Zog nuk e pranoi këtë, marrëveshje. Edhe Ramiz Alia e pranoi kryepeshkopin Janullatos, veçse si të dërguar të përkohshëm. E pranoi Berisha si krypeshkop dhe e kemi edhe sot në krye të kishës sonë sot. Praktikisht Greqia çfarëdo lloj problemi që mund të kemi midis shtetit dhe komunitetit ortodoks e shndërron në çështje të marrëdhënieve dypalëshe. Po ju sjell një një moment tjetër, që mundëson krahasimin, e që lidhet me të ashtuquajturin restaurim të atyre objekteve të kultit që janë trashëgimia e përbashkët kulturore. Xhamitë e vjetra janë trashëgimia jonë e përbashkët, Turqia po i restauron ato dhe nuk po thotë që këto janë të Turqisë dhe jemi ne përfitues të tyre.Çfarë ndodh me Greqinë? Janë 160 kisha të vjetra, të cilat kisha jonë autoqefale nuk po i restauron, por ndërton kisha të reja. Ato janë pjesë e të përbashkëtës sonë bizantine, por ama me identitet të qartë që lidhet me tokën shqiptare dhe nuk po restaurohen. Për t’u përmendur Kisha e Labovës së Kryqit, kisha e vendlindjes së njërit prej bamirësve më të mëdhenj shqiptarë, por që ka gjurmën e vet në ndërtimin e institucioneve kryesore të Greqisë. Është Vangjel Zhapa, parlamenti grek është ndërtuar prej tij. Ai ka lënë në testamentin e tij, si porosi rindërtimin, restaurimin e kishave apo shkollave në vendlindje. Ai, Arsakeio apo dhe të tjerë kanë bërë të njëjtën gjë. Kryepeshkopi Janullatos nuk po i përdor ato para (me shumë gjasë bëhet fjalë për donacionet e tyre) për të restauruar kisha të vjetra, por po i përdor për të ndërtuar kisha të reja dhe atje ku nuk ka ortodoksë.
Mjafton ky shembull për të kuptuar diferencën në trajtimin e të njëjtës çështje midis Greqisë dhe Turqisë, ndonëse përmasa e dy shteteve është me diferencë të madhe”, deklaroi Nazarko.

;

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb