Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Kremenchuk në rajonin Poltava të Ukrainës.

Një raketë ka goditur një qendër tregtare, ndërsa pamjet e shpërndara nga vendi i ngjarjes tregojnë se ndërtesa është djegur plotësisht.

Presidenti Zelensky shkroi në Telegram se të paktën 1000 njerëz ishin në qendrën tregtare në momentin e goditjes.

“Okupatorët kanë goditur një qendër tregtare me mbi një mijë civilë brenda. Qendra tregtare nuk përbënte asnjë rrezik për ushtrinë ruse dhe nuk përbënte asnjë vlerë strategjike për ata.

Qendra është duke u djegur dhe ekipet e shpëtimit po përpiqen ta shuajnë zjarrin. Numri i viktimave është i pamundur të imagjinohet

Njerëzit donin vetëm të jetonin një jetë normale, gjë që shkaktoi zemërim tek pushtuesit.

Nga pafuqia, Rusia vazhdon të godasë njerëzit e zakonshëm. Është e kotë të presësh të jenë e arsyeshëm apo njerëzorë”, shkroi presidenti ukrainas.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Vitaliy Meletskiy, me anë të një postimi në Facebook ka shkruar se raketa ka goditur ndërkohë që qendra ishte e mbushur me njerëz.

Ai tha se ishte në vendin e ngjarjes, por nuk dha detaje mbi faktin se sa persona ishin plagosur apo kishin humbur jetën.

Korrespondenti i Economist, Oliver Carroll, raporton “skena horror”, duke cituar një burrë që fliste në telefon i cili tha se njerëz ishin në ndërtesë dhe muret kanë filluar të bien.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb