Deri më tani janë zhvilluar katër skenarë të kurbës së rimëkëmbjes nga pasojat negative të pandemisë COVID-19 nga institucionet financiare ndërkombëtare, ato vendase dhe bizneseve në sektorët kryesorë. Skenari më optimist parashikon rritje mbi 8% në vitin 2021, ndërsa ata më afër realitetit, projektojnë një rikuperim më të butë që shtrihet në tre vitet në vijim, me ritmet 2-4%. Rihapja e ekonomisë pas uljes së agresivitetit të virusit po dëshmon pasiguri. Sektorët e tregtisë, turizmit dhe prodhimit nuk presin rimëkëmbje para fillimit të vitit 2022.

Pandemia frenoi aktivitetin ekonomik në Shqipëri, ashtu si dhe në mbarë botën me një shpejtësi të paprecedentë këtë pranverë. Muaji prill arriti pikun e efekteve negative, ku të paktën 60 mijë persona humbën punën. Shitjet, eksportet, konsumi, investimet pësuan rënie me ritme dyshifrore, teksa borxhet në sektorin privat dhe publik janë rritur me një shpejtësi alarmante. Rihapja e ekonomisë pas uljes së agresivitetit të virusit po dëshmon se rimëkëmbja do të jetë një proces i vështirë, i ngadaltë, që me shumë gjasa do të përmbysë skenarët e rikuperimit që u lëshuan në mes të pandemisë.

Njerëzit po hezitojnë t’i kthehen normalitetit dhe të marrin angazhime të mëdha financiare si pushime të gjata, blerje të mëdha, rikonstruksione, etj. Bizneset kanë zhvendosur planet për zgjerime, investime dhe po punojnë me planet e emergjencës, teksa numri i të infektuarve po rritet. Rikthimi i një vale të dytë të virusit, pa një kurbë të qartë dhe mungesa e një vaksine, duket se do ta mbajnë ekonominë nën presion për rikuperim të shpejtë. Por institucionet financiare ndërkombëtare, ato vendase dhe përfaqësues nga sektorët kryesorë të ekonomisë kanë ndërtuar disa skenarë, nëpër të cilët do të kalojë rimëkëmbja e ekonomisë.

Projeksionet variojnë sipas disa skenarëve, nga më optimisti që merr në konsideratë rikuperimin me një rritje 8% të ekonomisë vitin që vjen, tek më pesimisti, i cili parashikon që efektet e pandemisë në rikuperim do ndikojnë negativisht përtej pesë viteve, ku zinxhirët e furnizimit do mbeten të përçara dhe produktiviteti shënon ulje sistematikë. Sipas projeksioneve të Bankës së Shqipërisë, të argumentuara në mënyrë të posaçme për Monitor, pritet që rikuperimi i pasojave të vijojë për një periudhë dyvjeçare.

Në një skenar bazë, të ndërtuar nga Banka mbi premisën e zhdukjes së pandemisë gjatë vitit 2020 dhe supozimeve të arsyeshme mbi ambientin e brendshëm dhe të huaj, ekonomia shqiptare pritet t’i rikuperojë humbjet e pësuara gjatë pandemisë brenda dy viteve të ardhshme. https://www.monitor.al/banka-e-shqiperise-rikuperimi-do-te-ndodhe-per-dy-vjet/

Pritshmëri të njëjta vijnë edhe nga ekonomia reale. Grupi Balfin, operatori më i madh në tregtinë me pakicë në vend, pret që rikuperimi të ndodhë në 18 muajt në vijim, pas hapjes së ekonomisë. CEO e Grupit Balfin, Edlira Muka, tha se, grupi është duke monitoruar ecurinë e pandemisë dhe efektet që po krijon në sektorë të ndryshëm të ekonomive vendase dhe tregut global.

“Në analizat që kemi bërë së brendshmi, rikthimi i gjithë Grupit në ritmet e biznesit që ishim, mund të kërkojë 8 deri në 18 muaj. Për momentin, gjithçka varet nga përhapja e pandemisë dhe aktivizimi i qeverive për të mbështetur bizneset” tha zonja Muka. https://www.monitor.al/tregtia-me-pakice-e-merr-veten-deri-ne-fund-te-vitit-2021/

Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelierëve pohoi se, me zhvillimet e deritanishme, rikuperimi në sektorin e turizmit dhe shërbimeve do të kërkojë së paku tre vite. Pasiguritë që ka krijuar pandemia, ende nuk kanë çliruar tërësisht aktivitetin në sektor, teksa 30% e strukturave dhe agjencive kanë falimentuar edhe në rang global, ndaj Topuzi nuk e sheh rikuperimin shumë të shpejtë.

Baret dhe restorantet, të cilat pësuan goditjen më të fortë nga sektori i shërbimeve dhe në Shqipëri përfaqësojnë një pjesë të madhe të ekonomisë reale, do të duan tre vite që të rikthehen në normalitet, thotë Enri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se 46% e punësimit privat në vend sigurohet nga tregtia dhe shërbime, kryesisht në sipërmarrje të vogla, me 1-4 të punësuar.

Vendi ka një numër të madh dyqanesh me veshje e këpucë, apo me produkte të tjera, si dhe bare e restorante (në mënyrë unike rreth 15% e bizneseve në vend janë lokale). Vasilia Vjero, zëvendësministre e Financave, pranon se humbja më e lartë e vendeve të punës ka qenë në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, që janë kryesisht baret e restorantet. Sektori i prodhimit duket më optimist. Por pesha e tij në ekonomi është vetëm 6% dhe në punësim mbi 21%, sipas të dhënave të INSTAT. I përqendruar në prodhimin e furnizimeve elementare, si veshje dhe këpucë kryesisht, sektori pritet të rimëkëmbet më shpejt, duke e përshtatur biznesin më kërkesën e re.

Eva Laro, e cila zotëron fabrikën e prodhimit të këpucëve “Prodyn”, thotë se, gjatë periudhës së pandemisë, prodhimi vijoi normalisht për shkak të inventarëve të lartë të lëndës së parë, por nga shtatori në muajin mars, ajo tha se pret një rënie të kërkesës me 30%. Znj. Laro tha se po operon me një plan B, pasi ka përshtatur një sektor të fabrikës për të prodhuar veshje mjekësore për tregun gjerman. Pandemia mund të sigurojë rritje për sektorin e fabrikave shqiptare, nëse mbetemi konkurrues në çmime – pohoi ajo.

Ministria e Financave parashikon që ekonomia e vendit të pësojë një rënie me së paku 5% këtë vit. Rënie të ngjashme kanë projektuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, teksa projeksionet për rikuperimin marrin në konsideratë rritje nga 2-8% gjatë vitit 2021. Skenari më i besueshëm tregon për një rikuperim të efekteve negative për një periudhë dy deri në tre vjet.

Skenari më optimist, rritje me 8% më 2021

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, në projeksionet e pranverës gjatë muajit prill, parashikuan se ekonomia e Shqipërisë do të tkurret me 5% gjatë këtij viti për t’iu rikthyer një rritje të vrullshme në vitin 2021 me rreth 8%.

Këto projeksione e çojnë kurbën e rritjes së ekonomisë në formën e germës Z dhe është projeksioni më optimist i rritjes pas pandemisë.

Sipas këtij skenari, pas një rënie drastike gjatë pandemisë, shumë shpejt gjatë vitit 2021 ekonomia rritet më shumë se parashikimet në kohë normale. Kjo për shkak se kërkesa shënon një bum të përkohshëm, duke supozuar se njerëzit do të blejnë veshjet e tyre të munguara gjatë krizës, do të bëjnë udhëtimet e munguara dhe do të konsumojnë mallrat dhe shërbimet e munguara krahas normalitetit.

Ky skenar, i cili pritet të ndodhë sipas FMN, parashikon që ekonomia të rritet më shumë se 8% më 2021, duke rikuperuar tërësisht rënien e vitit 2020. Pas bumit që pritet të vijë nga një rritje e pazakontë e kërkesë post-pandemi, ekonomia do të vijojë të rritet me ritme të larta edhe në dy vitet e mëpasshme 2022-2023 përkatësisht me 6 dhe 5%.

Sipas projeksioneve të Bankës Botërore, pritet që si bizneset, konsumatorët dhe besimi i investitorëve të rikthehet furishëm, duke bërë që konsumi privat dhe investimet të rriten. Rimëkëmbja e investimeve dhe e veprimtarive jetësore të tilla si shërbimet, turizëm, ndërtim, dhe energjia, do të mbështesin krijimin e vendeve të punës. Në Shqipëri, rindërtimi i pasojave të tërmetit do të jetë thelbësor për të stimuluar ekonominë në 2021, parashikon Banka Botërore.

Ky skenar konsiderohet shumë optimist dhe tashmë kur kanë kaluar dy muaj nga ky projeksion, situata nuk duket kaq entuziaste. Rikthimi i infektimeve me numra më të lartë se gjatë kulmit të pandemisë ka rritur mungesën e besimit në ekonomi, që pritet të reflektojë pasiguri edhe për një kohë të gjatë. Nafije Murati, e cila ka një restorant në Bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë, tha se, frekuentimi është i njëjtë me kurbën e pandemisë. Kur rritet numri i të infektuarve, bie kërkesa në restorant, e kundërta ndodh kur ka rënie të të prekurve nga COVID-19.

Javën e fundit, numri i të infektuarve po rritet me shpejtësi në raport me kohën e karantinës. Javën e kaluar ishin të shtruar në spital mbi 80 persona, teksa kapacitetet spitalore janë për rreth 450-500 pacientë sipas të dhënave zyrtare. Kur ky numër shtretërish do të jetë zënë, Komiteti i Monitorimit ndaj Pandemisë ka lajmëruar se mund të rikthehen masat e izolimit. Me këto pasiguri, në ecurinë e pandemisë do të ecë edhe ekonomia.

Eurobondi 1
Eurobondi 1

Skenari optimist, rritje 4% vitin që vjen
Një skenar tjetër më afër reales është ai i Komisionit Europian. Sipas analizës dhe projeksioneve të BE, të lëshuara për mbarë Europën, pritet që ekonomia e Shqipërisë të pësojë rënie me 5% këtë vit dhe të ringrihet me 4,2% vitin tjetër. Kjo ringritje ka formën e një kurbe në forme V, ku pas tronditjes, situata kthehet në normalitet. Rritja ekonomike në vitin 2019 u ngadalësua në 2,2% si pasojë e prodhimit më të ulët të energjisë dhe pasojave negative nga tërmeti i 26 nëntorit.

Investimet pësuan tkurrje me mbi 4% si pasojë e përfundimit të projekteve të mëdha në gazsjellësin TAP dhe HEC-et në lumin Devoll. Këto dobësi u forcuan më shumë gjatë pandemisë, të cilat kanë rritur panikun kudo në botë. Komisioni Europian parashikon që konsumi të bjerë së paku me 4,2% këtë vit, investimet me 7% dhe eksportet me 25%. Një pjesë e madhe e përfitimeve nga sezoni turistik i këtij viti do të humbasin këtë vit.

Sipas këtij skenari, që mbështetet nga Komisioni Europian me rihapjen e ekonomisë në muajin maj, prodhimi, industria e ndërtimit dhe e shërbimeve pritet të përmirësohen gradualisht, duke krijuar kushtet për një rritje të ekonomisë me 4.2% vitin që vjen.

Sipas këtij skenari, ekonomia e vendit humb përgjithmonë rikuperimin e prodhimit të munguar gjatë pandemisë, por shumë shpejt kthehet në fillimin e saj para pandemisë me heqjen e kufizimeve. Në këtë skenar, shërbimet dhe mallrat e munguara nuk tentojnë të rimerren, por pasi jeta të kthehet në normalitet, gjithçka është ashtu si do të kishte qenë më parë.

Eurobondi 1
Eurobondi 1

Por projeksionet nga ekonomia reale në vendin tonë thonë se rikthimi në normalitet do të zgjatet në rastin më të mirë dy vite. Falimenti i gati 30% i strukturave të shërbimeve, sipas zotit Topuzi, do ta bëjë të vështirë shërimin e punësimit dhe konsumit së paku në periudhë afatmesme.

Ndërsa zonja Muka, nga Grupi Balfin shprehet se, pavarësisht krizës së krijuar, ‘ne do të vijojmë investimet në shumicën e sektorëve të cilët janë drejtpërdrejt të lidhur me projekte që krijojnë të ardhura ose ulin shpenzimet operacionale. Gjithashtu jemi të fokusuar në zgjerimin gjeografik të Grupit, duke parë për mundësi në tregje të reja’. Znj. Muka theksoi se do të duhen të paktën 18 muaj në rikuperimin e pasojave të pandemisë.

Skenari bazë, rikuperim për 2-3 vjet
Me hapjen e ekonomisë, por edhe nën ankthin e virusit ekonomia nuk pritet të rikuperojë humbjet e krijuara gjatë pandemisë në dy-tre vitet në vijim. Banka e Shqipërisë, në një analizë së posaçme, pohoi se, pasojat kërkojnë një periudhë rimëkëmbje dy vite.

Në të njëjtën linjë është edhe sektori i biznesit. Eva Laro, një nga prodhuesit më të mëdhenj në industrinë fason, pohon se sektori i prodhimit, do të kalojë një periudhë tranzitore edhe gjatë vitit në vijim nga mungesa e porosive. Përshtatja me sjelljen e re konsumatore dhe kërkesën e re, kërkon një periudhë përshtatje që shkon përtej një viti, tha zonja Laro.

Ky skenar që është disi pesimist, po më afër realitetit, merr në konsideratë se, efektet e pandemisë në aktivitetin ekonomik zgjasin shumë përtej fundit të distancës sociale, dhe PBB-ja rimëkëmbet ngadalë. Edhe pse sipas këtij skenari, rreziqet e virusit zvogëlohen, ekonomia heziton të kthehet shpejt atje ku do të kishte qenë, megjithëse pas dy-tre vitesh arrin nivelin e parakrizës. Kurba e këtij skenari i ngjan ikonës së NIKE në formën e një U-je, ku rritja e PBB-së qëndron e ulët për një kohë, por pastaj rikthehet në nivelin fillestar ngadalë.

Sipas këtij skenari, ekonomia do të rritet me nga 2% në dy vitet në vijim, gjysma e parashikimeve fillestare.
Të njëjtën pritshmëri ka edhe sektori i tregtisë me pakicë. Zonja Muka nga grupi Balfin, tha se, duke u nisur nga vlerësimi që bëjmë sot për sektorin e tregtisë me pakicë, rikuperimi mund të zgjasë nga tetë muaj deri në fund të vitit 2021. Kurse zoti Topuzi mendon se rimëkëmbja për sektorin e turizmit do të zgjasë edhe më shumë duke kërkuar tre vite.

Eurobondi 1
Eurobondi 1

Skenari pesimist, ekonomia në vendnumëro edhe në afatmesëm
Ky skenar në të cilin ekonomia qëndron në territor negative edhe për dy-tre vitet në vijim nuk ka gjasa të materializohet, vetëm nëse karantina zgjat për një kohë të gjatë. Gjithsesi, pasiguritë që shoqërojnë ecurinë e pandemisë mund ta materializojnë një pjesë të tij. Institucionet financiare vendase dhe të huaja e marrin në konsideratë një skenar të tillë, në rast të zhvillimeve ekstreme.

Këto zhvillime marrin në konsideratë që efektet e pandemisë në PBB janë të përhershme. Investimet e humbura gjatë krizës, rishikimi i zinxhirëve të furnizimeve globale, ndryshimi i përhershëm i politikës fiskale dhe ngadalësimi i rritjes së produktivitetit e çojnë trajektoren e PBB-së në një nivel më të ulët se sa do të ndodhte para parashikimeve. Materializimi i këtij skenari nuk ka gjasa të materializohet sipas përfaqësuesve të ekonomisë reale, pasi me heqjen e masave kufizuese në muajin maj ka nisur të ndodhë rikuperimi.

Eurobondi 1
Eurobondi 1

Masat që na rikuperojnë
Disa masa nga politikëbërësit do të ndihmonin që kurba e rikuperimit të jetë një Z, ku rikuperimi i humbjeve të ndodhë më shpejt se sa po ta lëmë ekonominë të lirë në rrjedhën e saj. Banka e Shqipërisë sugjeron se, politika fiskale duhet të ketë rolin primar në adresimin e sfidës, nëpërmjet kompensimit të pjesshëm financiar të familjeve dhe shtresave në nevojë, nëpërmjet marrjes së masave për përmirësimin e likuiditetit të biznesit.

Banka garantoi se politika monetare ka marrë dhe do të vazhdojë të ruajë një natyrë stimuluese, duke synuar uljen e kostove të financimit dhe të shërbimit të borxhit dhe nxitjen e kërkesës agregate. Por orientimi i reagimit publik dhe privat në këto prioritete, si dhe vëmendja e fleksibiliteti për të ndërmarrë masat e duhura në kohën e duhur, janë një premisë e rëndësishme për përballimin me sukses të sfidës, sugjeron autoriteti qendror bankar.

Eksperti Selami Xhepa sugjeron se, sektori privat duhet të tregohet elastik në aspektin operacional, si në drejtim të modifikimit të modeleve të biznesit, ashtu dhe në drejtim të adoptimit të teknologjisë së informacionit, dhe më bashkëpunues e solidar në të gjithë partnerët që kanë në zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit, si një mënyrë që e bën më të shpejtë rikuperimin.

Turizmi, kthimi në normalitet gjatë tre viteve në vijim
Në sektorin e turizmit, situata në këto momente është e paqartë, dhe po kaq edhe projeksionet për rikuperimin e humbjeve nga pandemia, tha Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelierëve. Ai tha se, Europa po operon në grup, por nuk i përjashton ndërveprimet e vendeve të saj me linja të dedikuara. Gjermania vendosi të mbyllë udhëtimet me 160 vendet jashtë BE deri më 31 gusht.

Do të merren vendime specifike me vende si Turqia në një kohë të dytë. Italia ka probleme me turizmin e brendshëm. P.sh., Napoli nuk pranon turistët nga Lombardia. Topuzi thotë se nuk mund të rezervosh pushime, pasi situatat mund të ndryshojnë në çdo kohë. Pra do të këtë një turizëm me rezervime të minutës së fundit, pasi sistemi nuk pranon anulime dhe mund të mbetet paketa për vitin tjetër. Po rekomandohen lëvizje të brendshme dhe ato emergjente jashtë vendit.

Ai tha se, Këshilli i Organizatës Botërore të Turizmit dhe Udhëtimit parashikon rikuperim që do të zgjasë për tre vjet, pasi deri në këto momente kanë falimentuar 30% e strukturave, agjencive dhe linjave ajrore.
Sipas Topuzit, këtë verë, në rastin më të mirë, mendohet se do të punohet me kapacitete të reduktuara (rreth 65%). Një pjesë e mirë e punonjësve të turizmit do ta humbin vendin e punës. Janë disa faktorë që do të ndikojnë, si zbatimi i protokolleve të mbrojtjes COVID-19, pamundësia e kohës (pushuesit vendas kanë përfunduar lejet vjetore), rënia e konsumit dhe kufizimi i lëvizjeve të moshës së tretë.

Prodhimi, deri më 2021
Fabrikat shqiptare të prodhimit, sidomos në sektorin fason, presin të përmbyllin rikuperimin gjatë dy viteve në vijim. Eva Laro, e cila zotëron “Prodyn”, një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të këpucëve për tregun gjerman, thotë se, pasojat e pandemisë nuk janë reflektuar tërësisht gjatë pandemisë.

Ajo shprehet se nga vjeshta në pranverë 2021 pritet të ketë një rënie të porosive, si pasojë e efekteve që do të japë konsumi në kërkesën për prodhime.

Zonja Laro pohoi se për të amortizuar humbjet që po vijnë nga kërkesa për këpucë, ka ndërtuar një plan B, duke shndërruar një sektor të fabrikës për qepjen e pajisjeve mjekësore. Aktualisht, krahas këpucëve po qep përparëse për stafet mjekësore të tregut gjerman. Për të përballuar fluksin e kërkesës, Laro ka nënkontraktuar kompani të tjera të sektorit për qepjen e veshjeve mjekësore.

Ajo i sheh me skepticizëm përfitimet që mund t’i vijnë Shqipërisë nga transferimi i prodhimeve dedikuar tregut të BE-së nga Kina. Pasi pandemia dhe tensionet që ka krijuar të largohet, çmimet do të vendosin se ku do të realizohet prodhimi, tha Laro, e cila shprehet se Kina mbetet shumë konkurruese në këtë drejtim. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb